Fëmijët nuk duan ndërtime të termocentraleve, kërkojnë ambient të shëndoshë

Kosova

Fëmijët nuk duan ndërtime të termocentraleve, kërkojnë ambient të shëndoshë

Më: 15 mars 2019 Në ora: 15:32
“Ecja paqësore” nga sheshi “Zahir Pajaziti” tek “Skënderbeu”

Duke kërkuar hapësira të gjelbra, burime alternative të përftimit të energjisë elektrike e jo ndërtime të termocentraleve, edhe fëmijët në Kosovë kanë mbajtur një organizim për të ngritur zërin lidhur me ruajtjen e ambientit. Të premten në Prishtinë, organizata Termokis, e përkrahur nga Save the Children, Syri i Vizionit dhe organizata të tjera, bashkë me fëmijët kanë mbajtur “ecje paqësore” nga sheshi “Zahir Pajaziti” tek “Skënderbeu”.

Fëmijët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të marrin parasysh kërkesat e tyre, të sigurojnë një ambient të shëndoshtë për ta dhe mos të lejojë që të rritën në gjendjen në të cilën ndodhet Kosova tani, sa i përket cilësisë së ambientit.

Trina Hoti, e cila foli në emër të fëmijëve të organizuar për marsh, tha se nuk duan termocentrale dhe mbeturina, por më shumë hapësira të gjelbra.

Hoti: Nuk duam termocentrale, duam mbrojtje të ambientit

“Ne nuk duam që të radhitemi në vendin e parë ose në qytetin e parë në botë për ndotje të ajrit, ne nuk duam që të kemi termocentrale, ne nuk duam që të kemi mbeturina vend e pa vend, nuk duam që nëse e lëmë një rrobë jashtë shtëpisë nga nata deri në mëngjes ajo të bëhet tërësisht e zezë nga ndotja e ajrit, ne nuk duam që të kemi një situatë të tillë, çka duam është që ne të kemi hapësira më shumë të gjelbra, të kemi burime alternative të përfitimit të energjisë elektrike, që të investoni në mënyrë strategjike për mbrojtjen e ambientit”, tha ajo.

E Melita Kabashi, përfaqësuese e organizatës “Save the Children” tha se po përkrahin fëmijët në ngritjen e zërit për të drejtat e tyre.

Kabashi: I mbështesim fëmijët të ngrisin zërin për të drejtat e tyre

“Kam ardh së pari në cilësinë e prindit, pastaj jam përfaqësuese e organizatës Save the Children, si organizatë bashkërisht me partnerë, përfshirë organizatën Syri i Vizionit, i mbështesim fuqishëm fëmijët, punojmë me ta që t’i ngrisim kapacitetet e fëmijëve në mënyrë që fëmijët ta ngrisin zërin për të drejtat e tyre, për çështje që  kanë të bëjnë me ta, për të ardhmen e tyre”, tha ajo.

Ajo tha se ky është vetëm fillimi dhe se shpreson që të ketë më shumë nisma të tilla, në mënyrë që të luftohet për një planet më të shëndoshë.

Nisma të tilla po mbahen edhe në vende të tjera të botës, ku vëmendja më e madhe është në Suedi, meqë një 16 vjeçare nisi një grevë për klimën, para parlamentit suedez në gusht të vitit të kaluar.

Greta Thunberg, është themeluese e lëvizjes “Youth Strike for Climate” dhe që nga fillimi i organizimit ajo ka humbur çdo të premte mësimet në shkollë, për të organizuar protestat e saj të rregullta.

Aktiviteti që u mbajt sot në Prishtinë, është përkrahje e nismës së aktivistes Greta Thunberg, e cila tashmë është propozuar edhe për çmimin Nobel për Paqe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat