Implementimi i objektivave të MSA-së në fushën e konkurrencës në Kosovë

Kosova

Implementimi i objektivave të MSA-së në fushën e konkurrencës në Kosovë

Më: 18 mars 2019 Në ora: 12:47
Foto ilustrim

Grupi për Studime Juridike dhe Politike rekomandon institucionet në Kosovë të tregojnë një përkushtim më të lartë drejt përmbushjes së të gjitha masave të parapara në Agjendën për Reforma Evropiane dhe Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në përputhje me afatet kohore të përcaktuara.

GSJP ka publikuar të hënën raportin e dalë nga monitorimi në periudhën korrik-dhjetor 2018, lidhur me shkallën e përmbushjes së prioriteteve në fushën e konkurrencës.

Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, rezultatet e nxjerra nga monitorimi nuk janë të kënaqshme.

Në konferencën “Sa po implementohen objektivat e MSA-së në fushën e konkurrencës”, Erëza Pula tha se procesi i monitorimit është fokusuar në shtyllën e dytë të ERA-s, që është konkurrueshmëria dhe klima e investimeve.

E kjo përfshinë 12 masa që janë të ndara në 44 veprime.

Pula: Rezultatet nuk janë të kënaqshme

“Nga këto 44 veprime, nga procesi ynë i monitorimin mund të themi që rezultatet nuk janë aq të kënaqshme sa kemi pritur, nga 44 veprime plotësisht janë plotësuar vetëm 25 veprime, që do të thotë rreth 57 për qind e planit të veprimit të ERA-s, për shtyllën e dytë”, tha ajo.

Raporti tregon se sipas reformave institucionale dhe masave për ngritje të kapaciteteve, Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2018 ka rekrutuar katër zyrtarë në departamentin e mbikëqyrjes së tregut.

Pula: Është paraparë që në vitin 2019 të rekrutohen edhe tre zyrtarë të tjerë

“Sa i përket masave zbatuese në fushën e konkurrencës këto masa janë në total katër masa, një prej tyre ka të bëjë me ngritje ne kapaciteteve, kjo masë është plotësuar pjesërisht, marrë parasysh që autoriteti i konkurrencës ka plotësuar numrin e punëtorëve me katër zyrtarë, ndërsa masa është paraparë që të rekrutohen shtatë zyrtarë. Sipas informatave të marra nga autoriteti kjo masë do të përfundohet tërësisht në vitin 2019, ku është paraparë të rekrutohen edhe tre zyrtarë të tjerë”, tha Pula.

Ndërsa Valon Prestreshi, kryetar në Autoritetin e Konkurrencës tha se kanë arritur t’i trajtojnë disa lëndë që janë mbledhur.

Prestreshi: Ne e kemi gjetur një katrahurë të tregjeve të ndryshme

“Me emërimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës ne e kemi gjetur një katrahurë të tregjeve të ndryshme të cilat janë krijuar mbi bazën e mos-presionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës sepse nuk ka qenë funksional. Autoritet i është themeluar me ligj nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2008, komisioni i kaluar i ka shqiptuar disa gjoba, afërsisht 12 gjoba të kompanive të sigurimeve dhe arkeve fiskale, në afërsi prej 1.2 milionë, dhe deri më tani akoma jemi duke u ballafaquar me gjykata sepse normalisht ligji për mbrojtjen e konkurrencës e jep të drejtën palës në procedurë të ankohet”, tha ai.

Ai tha se 12 kompani që kanë qenë nën hetim janë gjobitur.

Tutje, ai bëri të ditur se kanë marrë ftesë nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të bashkëpunojnë dhe të arrijnë një memorandum mirëkuptimi.

Grupi për studime Juridike dhe Politike ka rekomanduar institucionet që të tregojnë përkushtim më të lartë drejt përmbushjes së të gjitha masave të parapara në ERA dhe PKZMSA, në përputhje me afatet kohore të përcaktuara, në mënyrë që të përshpejtohen politikat dhe reformat e konkurrencës në Kosovë.

Kjo fazë e monitorimit për periudhën korrik-dhjetor 2018, do të plotësojë pjesën e parë të monitorimit për periudhën janar-qershor 2018. Sipas GSJP, pastaj rezultatet do të nxjerrin në pah arritjet dhe dështimet e institucioneve relevante gjatë gjithë vitit 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat