Kandidatja për drejtoreshë të Barnatores në QKUK, farmaciste përgjegjëse në kompaninë private

Kosova

Kandidatja për drejtoreshë të Barnatores në QKUK, farmaciste përgjegjëse në kompaninë private

Më: 19 mars 2019 Në ora: 12:40
Ilustrim

Ia ka mësyrë pozitës së drejtoreshës së Barnatores Qendrore të QKUK-së, por Gëzime Pllana është farmaciste përgjegjëse në një nga kompanitë farmaceutike të cilat e furnizojnë me produkte këtë institucion publik. Pllana është farmaciste përgjegjëse në kompaninë farmaceutike “Altupharma”, shkruan Gazeta Shneta.

Licenca e saj me numër L1/2004/05/0048 është valide deri më datën 22 maj të këtij viti. Gazeta ka provuar të marr një deklaratë nga Pllana por nuk ka arritur qasje në numrin e saj kontaktues. Ndryshe “Altupharma” është një nga kompanitë farmaceutike e cila në vazhdimësi ka sponzoruar udhëtimet e mjekëve në kongrese e pushime jashtë vendit. Mjekët dyshohet se ia kanë kthyer favorin kompanisë duke ua përshkruar pacientëve barnat e saj.

Por Pllana nuk është e vetmja farmaciste e QKUK-së e cila ka marrëdhënie kontraktuale me kompani farmaceutike. Inspektorati Farmaceutik është duke hetuar edhe disa të tjerë për keqpërdorimin e licencave të tyre duke ua shitur barnatoreve private.

Pas marrjes së një informacioni anonim, kryeinspektori farmaceutik Dr. Shaban Osmanaj, ka ndërmarr menjëherë një hetim lidhur me këtë çështje. Ai thotë se dyshimet e para kanë qenë për 6-7 farmacistë në QKUK, por rezultatet kanë qenë se janë shumë më tepër.

“Në bazë të dhënave që kemi marr i kemi inspektuar të gjitha institucionet publike dhe private ku këta profesionistë ushtrojnë veprimtarinë, dhe në shumicën e rasteve kemi rezultuar se kontrata e punës e nënshkruar ka qenë 40 orë në institucionin publik dhe 40 orë në atë privat”.

Osmanaj ka deklaruar se në barnatoret private ku nuk janë gjetur farmacistët në vendet e tyre të punës, janë gjobitur si dhe iu është ndaluar puna deri në sigurimin e profesionistëve, ndërsa në disa raste janë ndryshuar kontratat e punës.

Ai ka thënë se këto raste janë dërguar në menaxhmentin e QKUK-së, si dhe do të dërgohen në Inspektoratin e Punës për t’i inspektuar kontratat e punës si dhe në Agjencionin Kundër Korrupsionit.

Menaxhmenti i SHSKUK-së ka konfirmuar për Gazetën se i kanë marr raportet e Inspektoratit për këto raste dhe kanë deklaruar se do të veprojnë sipas rekomandimeve të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat