Kosova dhe Suedia me memorandum bashkëpunimi në fushën e mjedisit

Kosova

Kosova dhe Suedia me memorandum bashkëpunimi në fushën e mjedisit

Më: 21 mars 2019 Në ora: 18:36
Gjatë kësaj ceremonie është nënshkruar një marrëveshje për mbështetjen e projektit nga dy agjencitë e shtetit të Suedisë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi së bashku me përfaqësuesit e departamenteve AMMK-së dhe ARPL-së sot kanë lansuar projektin e bashkëpunimit me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Suedisë- (SEPA) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Ujërave të Suedisë -SWAM.

Gjatë kësaj ceremonie është nënshkruar një marrëveshje për mbështetjen e projektit nga dy agjencitë e shtetit të Suedisë, SEPA dhe SWAM, i cili ka për qëllim mbështetjen e MMPH-së në ndërtimin dhe menaxhimin e informacioneve që kanë të bëjnë me ujërat dhe mjedisin, si dhe përgatitjen e Kosovës për të negociuar marrëveshjet me BE-në. 

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se vendi ynë në të kaluarën nuk e ka pasur prioritet mjedisin, ndërsa aktualisht mjedisi ka vëmendjen e të gjithëve.

“Tashmë çështjet mjedisore kanë vëmendjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministrit, deputetëve dhe po marrin çdo ditë e më shumë edhe të donatorëve dhe miqve tanë”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi tha se me ndihmën e donatorëve dhe miqve, Kosova tashmë i është kthyer investimeve në mjedis ndërsa falënderoi shtetin e Suedisë për mbështetje në avancimin e çështjeve mjedisore përmes ekspertëve të këtij shteti.

Ndërsa Nasrin Porghazian, shefe e Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë tha se shteti i tyre ka mbështetur Kosovën që nga pas lufta.

“Suedia ka qenë një mbështetëse për Kosovën që nga viti 1998. Ne kemi një partneritet mjaftë të gjatë me Kosovën dhe po synojmë të mbështesim Kosovën në këtë drejtim. Reformat tona dhe strategjia bashkëpunuese është e fokusuar në tri fusha të ndryshme dhe këto fusha janë zhvillimi i tregut, demokracia, të drejta e njeriut dhe mjedisi dhe klima”, deklaroi Porghazian. Ndërsa Nina  Galadze Ekstedt, këshilltare për mjedis në SIDA dhe Ulrik Westman përfaqësues i SEPA-së, vlerësuan lart bashkëpunimin mes agjencive të MMPH-së dhe atyre të Suedisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat