Selimi: Nuk mbështetemi te Lista Serbe për rrëzimin e Qeverisë, PSD-së nuk i besoj

Kosova

Selimi: Nuk mbështetemi te Lista Serbe për rrëzimin e Qeverisë, PSD-së nuk i besoj

Më: 24 mars 2019 Në ora: 17:29
Rexhep Selimi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi thotë se Kosova nuk duhet të shkojë në negociata, ngase kjo i konvenon Serbisë, e Kosova vetëm humb.

Për rrëzimin e Qeverisë thotë se nuk do e bëjnë me Listën Serbe, por që nuk i beson as PSD-së.

Flet për afërsinë e këtij subjekti me LDK-në, ndërkohë për Ramush Haradinajn thotë se nuk po di të qeverisë.

Numri i luftëtarëve të UÇK-së thotë se nuk kalon në asnjë formë mbi 20 mijë dhe tregon pse nuk ka aplikuar për veteran.

Selimi në një intervistë 45 minutëshe për KosovaPress tregon edhe nëse ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Rexhep Selimi thotë se PSD-ja ikën, por që Vetëvendosje vetëm po rritet. Ndërsa, deklaron se në AAK nuk kthehet më kurrë: “Nuk e bëj këtë gabim”.

Për LDK-në, deklaron se tani kanë raport tjetër dhe që e vlerëson qasjen e saj.

Selimi kur flet për ekipin negociator, thotë se megjithëse po proklamon se po shkojnë në Bruksel ta ndalojnë Thaçin të mos bëjë keq, po bëjnë të kundërtën.

Ai vlerëson se ekipi negociator nuk është shtetëror, por, siç e quan ai, ekip qeveritar.

Selimi: Nuk e kemi me nguti njohjen nga Serbia, është në favorin e saj

“Serbisë po i krijojmë mundësi që nesër kur të na njeh mos të ketë çfarë të na njeh, pra ta bëjmë një shtet jofunksional që pastaj edhe njohja me Serbinë të mos jetë problem. Ky është gabimi ynë që po e bëjmë me Serbinë. Dhe, ne në vend që të kishim kushte ndaj Serbisë, ka bërë Serbia atë çfarë duhet të bënim ne, ka listë kërkesash. Ne nuk e kemi me nguti as edhe njohjen, Serbia e ka me nguti njohjen me Kosovën, sepse Serbia raportin me Kosovën për shkak të kapitullit të njohur i duhet t’i plotësojë disa kritere të kërkuara për të vazhduar rrugën drejt Bashkimit evropian. Dhe çfarë paradoksi: ne po e paguajmë në kurrizin tonë integrimin e Serbisë në BE, duke i vënë vetes pengesa deri në atë shkallë saqë nuk kemi as liberalizim”, tha ai.

Kur flet për liberalizimin e vizave thotë se pushteti i asaj kohe i mashtruan qytetarët, por edhe ata që e nënshkruan demarkacionin e edhe ata që e votuan.

Sipas tij, Bashkimi Evropian nuk e kishte kusht demarkacionin për të përfituar liberalizimin. Madje thotë se as tani nuk është kusht njohja e Serbisë.

Selimi: BE nuk e thotë se njohja është kusht për liberalizimin e vizave

“(pyetja: njohja e Serbisë a është kusht për liberalizim?) Jo, nuk e kam dëgjuar një gjë të tillë, por në fakt nëse e bëjmë shtetin tonë aq të pa jetueshëm, sa të ikim nga ky vend edhe duke dhënë pjesë të këtij vendi, atëherë përgjegjës është ai që udhëheq me këtë vend, ose ata që udhëheqin. Ne po futemi në një formë, në një lloj fajde, që po marrim pak e po japim shumë, e në fund do të mbesim pa asgjë. Nuk është asgjë nëse marrim liberalizim, ne nuk na duhet vetëm ajo, si mundësi e ikjes, ne na duhet që liberalizimin ta kenë si dytësore, e jetesën kryesore”, thotë ai për KosovaPress.

Për deputetët që shkojnë në seancat e Kuvendit nënshkruhen dhe dalin, ai thotë se mëditja iu njihet. Ngase, sipas tij, ata nuk e kanë vend pune seancën, por mandatin.

Në Kuvend thotë se mazhoranca i ka humbur numrat, por as opozita nuk i ka numrat për t’i rrëzuar ata.

Sipas Selimit, tashmë janë katër grupe në Kuvendin e Kosovës: pozita, opozita, Lista Serbe dhe PSD-ja.

Selimi: Nuk mbështetemi te Lista Serbe për rrëzimin e Qeverisë, PSD-së nuk i besoj

“Siç kemi thënë në kohën e formimit të Qeverisë, që Lista Serbe, respektivisht Serbia nuk duhet të përcaktojë formimin apo funksionimin e Qeverisë, ne nuk mbështetemi as në kontributin e tyre, as në vullnetin e tyre për rrëzimin e Qeverisë. Ka arsye të tjera pse duhet ta shkojmë në zgjedhje; është keqqeverisja, nepotizmi, korrupsioni, një situatë e krimit të organizuar, pra Kosova duhet të shkojë në zgjedhje jo pse dëshiron Serbia dhe kur do ajo, po sepse e do qytetari i Kosovës...(pyetja: po PSD-në a i shihni si pjesë për rrëzimin e Qeverisë?) Nuk dua të flas për situata hipotetike, por në një situatë të tillë e di se do t’i krijonim një situatë të favorshme për t’i vënë kushte mirëmbajtjes së Qeverisë edhe më tutje. Unë personalisht nuk iu besoj. Nuk thash që i përjashtojmë, por nuk iu besoj”, tha Selimi.

Selimi ka folur edhe për luftën e UÇK-së. Sipas tij, nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë ndërkohë thotë se është keqpërdorur shumë me listat e veteranëve.

Selimi: Çështja e veteranëve të kthehet në pikën zero

“Që të mos flas me emra, ka pasur një komision shtetëror për verifikimin e listave të veteranëve, dhe ata kanë përgjegjësi pse ka arritur numri i veteranëve deri në trefishim. Pra, ata e mbajnë përgjegjësinë dhe unë i mbaj përgjegjës të gjithë ata që janë pajtuar me një gjë të tillë, sidomos ata të cilët e kanë deformuar procesin deri në abuzim, shitje, blerje të statusit të veteranit për përfitime materiale. Unë nuk kam mundur ta ndaloj një gjë të tillë, nuk kam pasur mundësi. Mundësinë e parë ekzekutive që ta kem, do e ndaloj, merreni si premtim. Kjo çështje do të kthehet në pikën zero”, thotë ai.

Thotë se nuk ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, por nëse do të ketë, do t’i përgjigjet. Sipas tij, lufta e UÇK-së është vrarë kur është votuar kjo Gjykatë në Kuvend.

Ndërkohë për Ramush Haradinajn vlerëson se nuk po di të qeverisë dhe se është zhgënjyer me të. Hashim Thaçi, për Selimin nuk është president i tij, nuk është figurë uniteti, por ndarëse siç e vlerëson ai. Dhe thotë se ai ka qëllime personale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat