Posta lanson pullat postare për katër heronjë

Kosova

Posta lanson pullat postare për katër heronjë

Më: 25 mars 2019 Në ora: 14:28
Veseli ka thënë se historinë duhet treguar gjeneratave të reja.

Posta e Kosovës sot ka lëshuar në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Heronjtë: Idriz Seferi, Shaban Polluzha, Marie Shllaku dhe Ismail (Imer) Thaqi”, për nderim të veprës së tyre heroike për çlirimin e atdheut.

Sipas njoftimit për media, në Kuvendin e Kosovës, kryeparlamentari Kadri Veseli, priti në zyrën e tij një delegacion të Postës së Kosovës, kryeshefin ekzekutiv Sejdi Hoxha me bashkëpunëtorët e tij, si dhe përfaqësues të familjeve Seferi, Polluzha dhe Thaqi, të cilëve iu dhuroi pullat e para postare si dhe nga një pullë postare të punuara në bronz.

Veseli ka thënë se historinë duhet treguar gjeneratave të reja.

“Ndjehem i nderuar pranë familjeve të mëdha që kanë dhënë shumë kontribut për vendin, prandaj kemi obligim që historinë tonë kombëtare t’ua tregojmë gjeneratave të reja”, ka thënë ai.

Kryeshefi Sejdi Hoxha ka deklaruar se veprat e heronjëve kanë qenë udhrrëfyese për të gjitha gjeeratat.

“Veprat e tyre kanë qenë udhërrëfyese për të gjitha gjeneratat e mëvonshme në organizimin e popullit në forma të ndryshme për liri, me kryengritje, demonstrata e deri tek lufta e armatosur e UÇK-së .Është krenari për Postën e Kosovës dhe Filatelinë e saj që Imazhet e ndritura të heronjve tanë do të udhëtojë në tërë botën përmes dërgesave tona postare”, ka theksuar Hoxha.

Në njoftim thuhet se përfaqësuesit e familjeve u ndien të nderuar me vlerësimin e lartë që iu bënë nga Institucionet e Republikës së Kosovës, Kuvendi dhe Posta e Kosovës që po i përjetësojnë heronjtë e kombit edhe në pulla postare, në nderim të veprave dhe kontributeve të tyre për liri.

“Përmes këtyre pullave postare që bartin imazhet e figurave të ndritura të kombit, nderohet heroizmi i tyre që lanë gjurmë të pashlyera në kryengritjet e armatosura 1910-1945 në luftën e drejtë për çlirim nga pushtimi i dhunshëm ish jugosllav dhe për bashkimin tonë kombëtar. Kujtimi për heronjtë e Kosovës rron përgjithmonë në mendjet dhe zemrat tona”, shkruan në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat