Shoqata e transportuesve të Llapit hyn në grevë

Kosova

Shoqata e transportuesve të Llapit hyn në grevë

Më: 25 mars 2019 Në ora: 14:35
Pamje nga greva

Asnjë autobus i linjës Podujevë-Prishtinë nuk ka lëvizur sot nga stacioni i autobusëve në Podujevë.

Shoqata e transportuesve të Llapit kanë hyrë në grevë në shenjë pakënaqësie për qarkullimin e madh të taksive ilegalë.

Autobusët janë të parkuar në stacion dhe nuk ka as një nisje për në Prishtinë. Kryetari i shoqatës së transportuesve “Llapi”, Beqir Mustafa theksoi se të gjithë operatorët kanë hyrë në grevë për arsye se janë duke punuar me humbje financiare si kompani.

Mustafa theksoi se greva do të vazhdojë derisa të parandalohen taksitë ilegale. Sipas tij, nesër greva do të jetë e vendosur në magjistralen Podujevë-Prishtinë, përkatësisht në Vranidoll.

Mustafa: Greva do të vazhdojë derisa të ndalohen taksitë ilegalë

“Grevën e kemi paralajmëruar para një muaj, para pesë ditësh kemi dalë prej stacionit dhe jemi parkuar jashtë stacionit të autobusëve për arsye se taksitë ilegal punojnë në të zezën, edhe ne ua kemi tërhequr vërejtjen për me marrë masa inspeksioni ose policia ata s’kanë marrë masa pesë ditë dhe ne sot kemi hyrë në grevë për arsye se çdo kompani është duke punua me humbje, ndërsa zyrtarë komunalë qe 20 vjet s’kanë marrë kurrfarë masash, kurse ne jemi duke punua me humbje... Greva nuk është e kufizuar, derisa të plotësohen kushtet tona. Ne sot jemi këtu në stacion, nesër e kemi grevën në magjistralen Prishtinë-Podujevë përkatësisht në fshatin Vranidoll”, tha Mustafa.

Ndërsa, zyrtarë të komunës së Podujevës theksuan se inspektorët komunalë të komunikacionit vazhdimisht janë në terren dhe në bashkëpunim edhe me zyrtarë të Policisë së Kosovës përkujdesen dhe mbikëqyrin punën e transportuesve publikë të licencuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) dhe atyre të pajisur me leje pune nga Komuna.

Zëdhënësi i komunës së Podujevës Nazmi Elezi tha përmes një përgjigje elektronike se në të njëjtën kohë inspektorët dhe policia në vazhdimësi janë duke ndërmarr masa për parandalimin e operimit të taksive ilegalë.

“Inspektorët komunalë, por edhe ata të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës janë duke bërë gjithçka për të parandaluar punën e taksive ilegalë. Brenda një muaji, në periudhën 7 shkurt deri më 8 mars, janë konfiskuar 49 automjete të operatorëve ilegalë. Ndërkohë, inspektorët komunalë janë duke vazhduar të monitorojnë dhe mbikëqyrin në qytet pikat e identifikuara të nisjes së taksive ilegale, në mënyrë që të parandalojnë operimin e tyre. Inspektorët komunalë të komunikacionit, në kuadër të kompetencave ligjore dhe përgjegjësive që kanë, do të vazhdojnë angazhimin dhe aktivitetet në teren, për të parandaluar operimin e taksive ilegalë”, tha Elezi.

Ndërsa, nga pakënaqësitë e pronarëve të autobusëve është duke humbur mjete financiare edhe stacioni i autobusëve në Podujevë.

Remzi Zeneli, drejtor i stacionit, tha se përveç grevës së sotme, vetëm gjatë javës së kaluar nuk janë realizuar 510 nisje nga stacioni.

Zeneli: 1 mijë euro kemi humbur të hyra për një javë

“Si stacion me 15 punëtor jam i dëmtuar. Vetëm javën e kaluar diku 510 nisje nuk janë realizuar nga stacioni. Jemi në humbje diku 1 mijë e 20 euro vetëm nga java e kaluar. Ndërsa sot kanë filluar me grevë totale që e kanë paralizuar edhe për ta edhe për ne si stacion”, tha Zeneli. Ndërsa, në stacion të autobusëve ishin prezent edhe përfaqësues të inspektoratit të Ministrisë së Infrastrukturës, të cilët kishin dalë për ndalimin e taksive ilegalë, por nuk u prononcuan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat