Mulliri qindra vjeçar në Metehi të Podujevës, shërbeu edhe gjatë luftës së fundit

Kosova

Mulliri qindra vjeçar në Metehi të Podujevës, shërbeu edhe gjatë luftës së fundit

Më: 26 mars 2019 Në ora: 20:27
Pamje nga video

“Te mullini” ishte vendtakimi i banorëve të fshatit, të cilët përveç që shkonin të bluanin misrin aty, e shfrytëzonin rastin edhe të takoheshin me shokët.

Hajdin Haliti çdo ditë kalon andej pari. Herë për t’u kujdesur për të e herë për ta shuar nostalgjinë.

Haliti është ndër më të vjetrit e fshatit Metehi të Podujevës. Ai thotë se mulliri në këtë vend është ndërtuar rreth vitit 1780.

“Atëherë kemi qenë më pak familje. Tash është rritur popullata. Kanë ardhur banorë prej shumë fshatrave e kanë bluar këtu sepse atëherë nuk kanë pasur fabrika si tani. Pinin ujë në bunar dhe këtu kalonin natën. U binim bukë prej fshatrave. Miell nga fabrikat nuk ka pasur, kemi jetur me miell të mullirit”, tregon për RTV Dukagjinin, Hajdin Haliti.

Objekti qindra vjeçar është i fshehur diku thellë fshatit.

Ai është i ndarë në dy pjesë, por që të dyja janë të vendosura në të njëjtën çati, kështu duke e marrë epitetin “Mullinjtë binjak”.

Banori Ramadan Shabani, ka thënë se ky mulli i ka shërbyer dy lagjeve të fshatit, për atë arsye edhe ka qenë i ndarë.

“Ky mulli është ndërtuar në vitin 1780. Është vetëm i fshatit Metehi. I ka dy gurë dhe dy lugje. Këtë mulli e përdorin lagjet. Fshati i ka diku 150 shtëpi. Mullirin e ka ndërtuar një familje nga fshati Glamnik. Jo vetëm këtë por në përgjithësi në Llap ata kanë ndërtuar mullinjtë”, tregon banori Ramadan Shabani.

Lumi Llap, i cili kalon skaj tij, i ka dhënë atij gjallëri, pa të cilin nuk do të mund të funksiononte.

Ndërsa rolin më të madh, ky mulli e ka luajtur gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë, ku kishte ushqyer më shumë se tetë mijë banorë.

“Ky mulli është shfrytëzuar deri para dy viteve. Por tash është prishur tenda, dhe derisa të ndërtohet kjo pjesë mulliri po pushon”, tregon  Shabani.

Edhe pse ka dy vite që më nuk është në funskion, për banorët mbetët ndër objektet më me vlerë në këto anë.

Hajdin Haliti, ka thënë se do të kujdeset për të sa herë të ketë nevojë, sepse dikur ishte ai i cili i mbante gjallë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat