Universiteti “Isa Boletini” do të bëhet me Qendër të Ekspertizës për industrinë e qumështit

Kosova

Universiteti “Isa Boletini” do të bëhet me Qendër të Ekspertizës për industrinë e qumështit

Më: 28 mars 2019 Në ora: 12:59
Foto

Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, do të hapet Qendra e Ekspertizës, që ka për qëllim trajtimin e ujërave të shkarkuara nga industria e qumështit, si dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve të qumështit.

Për këtë qëllim është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës (SHQK), FTU-së, Universitetit “Van Hall Larenstein” nga Holanda, si dhe organizatës “YUNIKO”, të krijuar në Holandë, që janë partnerë të këtij projekti.

Dekani i FTU-së, Milaim Sadiku, tha se ideja është që kjo Qendër e Ekspertizës të shërbej si një qendër rajonale edhe për shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

“Duke pasur parasysh zhvillimin e industrisë së qumështit dhe nevojën për trajtimin e ujërave të shkarkuara, si dhe rritjen e cilësisë së qumështit, kjo qendër do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë sektor”, ka thënë Sadiku.

Sipas tij, objektivi i parë i Qendrës së Ekspertizës është që të lehtësojë ShQK-un për t'u bërë më e qëndrueshme dhe më konkurruese.

“Fokusi do të jetë në sfidat lidhur me trajtimin e ujërave të zeza, përmirësimin e proceseve të prodhimit dhe efiçiencën e energjisë”, tha ai.

Ndërsa, si objektivë e dytë, sipas dekanit Sadiku, është që Qendra e Ekpsertizës të krijojë një ndërlidhje bashkëpunimi mes sektorit të qumështoreve të Kosovës dhe atyre evropiane nëpërmjet ndërlidhjes me organizatat nga shtetet BE-së.

Në këtë kontekst, ai përmendi edhe pjesëmarrjen në projektet e BE-së dhe atyre vendore, si dhe zhvillimin e ekspertizës dhe njohurive përmes shkëmbimeve me BE

Në anën tjetër, Gani Durmishaj, kryetar i SHQK-ut, tha se në Kosovë ka një rritje të mungesës së qumështit me kualitet të lartë, si dhe produkteve të tij, mandej ka prodhim të pamjaftueshëm të qumështit cilësor, ka konkurrencë të rritur nga prodhuesit jashtë shtetit dhe ka nevojë për të ulur presionin e ndikimit ambiental.

“Të gjithë këta faktorë e bëjnë Qendrën e Ekspertizës një pikë referimi për industrinë e qumështit në Kosovë dhe me gjasë edhe në rajon”, theksoi Durmishaj.

Ndryshe, ndër aktivitetet kryesore që planifikohen të kryhen në Qendrën e Ekspertizës janë, ofrimi i ndihmës teknike për ShQK dhe qumështoret në problemet e tyre me trajtimin e ujërave të zeza, përpunimit të qumështit dhe efiçiencës së energjisë, të asistojë ShQK-në në problemet në lidhje me ambientin me Qeverinë e Kosovës, të sigurojë një infrastrukturë adekuate, pajisje dhe njohuri për kryerjen e hulumtimeve për ekzekutimin e marrjes së mostrave të ujërave të zeza dhe për analiza laboratorike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat