Zhduket 15 vjecarja nga Hajvalia, familja e policia qe dy javë në kërkim të saj

Kosova

Zhduket 15 vjecarja nga Hajvalia, familja e policia qe dy javë në kërkim të saj

Më: 29 mars 2019 Në ora: 11:45
Edona Vllasaliu

Janë bërë dy javë që është zhdukur vajza 15 vjeçare Edona Vllasaliu nga Hajvalia e Prishtinës. Babai i saj, Lulzimi, nuk ka lënë vend pa e kërkuar të bijën -rastin e ka raportuar edhe në Polici, por ende nuk ka rezultuar në gjetjen e saj. Në një rrëfim rreth vajzës së tij, Lulzimit dikush i kishte thënë sot se vajzën ia kanë parë në Ferizaj, por as atje nuk e gjeti.

“Një djalë më thirri e më tha e kena pa vajzën tënde në Ferizaj, para një ore ndodhi kjo punë. Qe në Ferizaj jom po nuk po e shoh askund”, tha babai i Edonës.

Edona Vllasaliu është zhdukur që nga data 13 mars. Sipas babait të saj ajo nuk ka pasur asnjë problem, ka qenë nxënëse e mirë dhe pasi e ka përfunduar orarin e shkollës atë ditë nuk është kthyer në shtëpi.

Po ashtu babai i Edonës tha se i ka parë disa komente në Facebook që vajza e tij i ka shkëmbyer me një djalë, por as ai nuk po e di vendodhjen e tij.

Tash e dy javë Lulzimi po e kërkon të bijën në shumë qytete të Kosovës.

“Që dy javë ditë nuk e kam kerkund vajzën, nuk e di ku është. Ka shku në shkollë, e ka kry orarin në ora 13:00 atë ditë, por nuk është kthyer në shtëpi”, rrëfen Lulzimi.

Tha se edhe arsimtarët e shkollës nuk kanë dijeni asgjë rreth saj. Madje vajza as atë ditë nuk ka shfaqur asnjë shenjë shqetësimi në shkollë.

“Në shkollë u kan qat ditë, u dalë për me shku në shtëpi. As në shkollë nuk po e dinë se ku ndodhet”, vazhdon rrëfimi.

Shtoi se vajza e tij nuk ka pasur telefon dhe rastin e zhdukjes së saj e ka raportuar edhe në polici.

“E kam raportu në polici, po ende nuk ka naj rezultat. Nuk ka pas telefon çika”, tha ai.

E për zhdukjen e saj Lulzimi ka një dyshim, ai i ka parë disa komente në rrjete sociale që Edona i ka shkëmbyer me një djalë. Por sipas tij, as ai djali nuk e di vendndodhjen e saj.

“Me një djalë ka shkru në Facebook e Instagram, po nuk po dihet ende asgjë”, përfundoi ai.

Ndryshe, nëse i referohemi raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës pothuajse çdo ditë ka raste të zhdukjes së vajzave-kryesisht të mitura.

Për këto raste policia thotë se zakonisht vajzat kthehen te familja e tyre me vetëdëshirë.

Po ashtu policia është në kërkim të vajzës nga Hajvalia./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat