Malisheva tejkalon problemin me rriqra – sivjet veç gjashtë pickime

Kosova

Malisheva tejkalon problemin me rriqra – sivjet veç gjashtë pickime

Më: 31 mars 2019 Në ora: 13:21
Ilustrim

Malishevasit janë qytetarët më të prekur nga rriqrat tash e disa vite në Kosovë. Madje ka pasur raste kur nga pickimi i rriqrave kanë përfunduar me fatalitet. Ndërkaq, tash e pesë vite, Malisheva po arrin ta tejkalojë me sukses këtë problem, ani pse gjatë tre muajve të parë të këtij viti, gjashtë persona janë pickuar nga rriqrat, por pa ndonjë rrezik për jetën.

Liridona Çeta

Në korrikun e vitit 2017, në trupin e një 13-vjeçari nga komuna e Malishevës ishin futur plot 22 rriqra. Ky rast kishte qenë alarmant për mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë.

Mirëpo Malisheva apo siç njihet si “zona e rriqrave” ka zvogëluar rrezikshmërinë nga rriqrat. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, në një prononcim.

Ai ka thënë se kanë arritur ta mposhtin këtë dukuri të keqe në qytetin e tyre.

“Faza e repelimit të parë do të përfundojë të hënën, më pas është faza e dytë, janë tri faza. Do të fillojmë shpejtë edhe me fazën e spërkatjes. Deri tani ja kemi arritë mirë, nuk ka raste si në të kaluarën, janë zvogëluar rastet”, thotë Begaj. 

Ndërkaq Begaj thekson se nuk ka pasur persona të vdekur tash e pesë vite, si pasojë e pickimit të rriqrave.

Ai shton se mposhtja e rriqrave ka ardhur si rezultat i spërkatjes së stallave, repelimit të kafshëve dhe falë ndihmës së ekspertëve të jashtëm.

“Para 5 vitesh ka qenë situatë e rëndë, kemi menduar se kush do të vdesë të nesërmen. Kemi mbërri me e mposhtë si dukuri të keqe në qytetin tonë. Me spërkatje të stallave, repilimi i kafshëve, si dhe ndihma e ekspertëve të jashtëm. Edhe stafi i Qendrës së Mjekësisë familjare falë përvojës janë të përgatitur mirë”, thotë Begaj

Ndërkaq përgjatë viteve, rastet e pickimit të qytetarëve të Malishevës nga rriqrat kanë qenë të shumta. Në vitin 2017 në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, vetëm për pesë muaj janë raportuar 271 raste të pickimeve, ndërsa një nga këta persona ishte dërguar në QKUK. 

Në vitin 2013, në Kosovë kanë humbur jetën 11 persona nga ethet hemorragjike dhe janë pickuar nga rriqrat 5,200 qytetarë. Derisa në vitet në vijim, falë masave parandaluese, janë evituar viktimat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat