Partia Demokratike e Kosovës, ka përmbyllur sot zgjedhjet e brendshme në Degën e Lipjanit, ku me shumicë të votave të delegatëve, në një garë të ngushtë me katër kandidatë, kryetar i degës u zgjodh në raundin e dytë, doktori i shkencave, Hyzer Rizani.
Kryetari i ri i PDK-së në Lipjan, i cili deri në zgjedhjet e fundit ka qenë kryetar i Rinisë Demokratike në Lipjan, u zotua se do të punojë për vazhdimin e sukseseve të PDK-së në Komunën e Lipjanit.
Para procesit të votimit, katër kandidatët për kryetar dege, paraqitën platformat e tyre para qindra delegatëve, për çka u vlerësuan në emër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për garën fer e demokratike gjatë gjithë procesit zgjedhor.
Kuvendi zgjedhor ku ishin të pranishëm 270 delegatë, po ashtu zgjodhi Këshillin Drejtues të degës prej 71 anëtarëve si dhe 15 delegatë për Konventën Qendrore.
Para të pranishmëve, nënkryetari Hajredin Kuçi, njëherësh edhe Kryetar i Komisionit Zgjedhor, tha se Kuvendi Zgjedhor në Lipjan dëshmon se sa e fortë është PDK në Lipjan.
“Dekada e Re është evropianizimi i Kosovës dhe PDK po tregon çdo ditë që është partia më e madhe dhe më demokratike në Kosovë”, tha ai.