Orët e humbura, ministri Bytyqi optimist për gjetjen e zgjidhjes

Kosova

Orët e humbura, ministri Bytyqi optimist për gjetjen e zgjidhjes

Më: 1 prill 2019 Në ora: 21:16
Shyqiri Bytyqi

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se mos zbatimi i vendimit të tij për kompensimin e orëve të humbura, pas hedhjes poshtë të ankesës së SBASHK-ut nga gjykata, paraqet vepër penale.

Ai në një emision për TV Dukagjini tha se vendimi për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës është marrë nga MASHT në koordinim edhe me drejtoritë komunale të arsimit dhe Këshillin e Prindërve.

Bytyqi ka thënë se ministria që ai drejton ka obligim të bëjë zbatimin e politikave, ndërsa drejtoritë komunale të arsimit kanë thënë se është e nevojshme zëvendësimi i orëve.

“Në asnjë ligj nuk shkruhet që SBASHK-u do të jetë zbatues i ndonjë vendimi që merr MASHT”, tha ai, duke shtuar se vendimi për kompensimin e orëve ishte për të mbrojtur të drejtat e nxënësve dhe nuk ka të bëjë me mësimdhënësit.

I pyetur nëse do të ketë zgjidhje të problemit rreth mos kompensimit të orëve, ministri Bytyqi shpreh besimin se do të arrihet një pajtim me SBASHK-un, në mënyrë që opinioni të ketë një qartësim lidhur me këtë çështje.

Ndryshe, SBASHK ka marrë vendim të mos kompensojë orët e humbura gjatë grevës tre javore me kërkesën për rritjen e koeficientit, pavarësisht se MASHT ka marrë vendim që ato duhet kompensuar.  SBASHK kishte dërguar në gjykatë vendimin e ministrit Bytyqi për mbajtjen e orëve të humbura,  por gjykata e pati hedhur poshtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat