QKUK furnizohet me medikamentin surfaktant

Kosova

QKUK furnizohet me medikamentin surfaktant

Më: 2 prill 2019 Në ora: 10:17
Foto ilustrim

Sasia e medikamentit që shpëton jetë e që është dorëzuar është 120 shishe, donacion ky me vlerë 81.345,60 dollarë, sasi kjo e cila do të mbulojë nevojën vjetore.

Foshnjat që përjetojnë probleme të frymëmarrjes, kanë mungesë të surfaktantit – shtresë e lëngshme brenda mushkërive dhe bebet zakonisht nuk fillojnë prodhimin surfaktantit deri disa javë pas lindjes.

Pa sasi të mjaftueshme të surfaktantit vjen deri tek kolapsi i mushkërive dhe kështu foshnjat e lindura para kohës nuk mund të marrin frymë. Andaj, surfaktanti është thelbësor në parandalimin dhe trajtimin e Sindromit të Distresit Respirator dhe redukton shkallën e vdekshmërisë së foshnjave të shkaktuar nga RDS.

Gjatë 10 viteve të fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e rreth 2,000 foshnjave të lindura parakohe dhe ato të lindura me peshë të ulët në Kosovë.

“Falë bashkëpunimit të suksesshëm me organizatën ndërkombëtare ‘Americares’, ne po furnizojmë Klinikën e Neonatologjisë me medikamentin jetë-shpëtues për herë të dytë tani për të mbuluar nevojat përgjatë vitit 2019. Jemi të lumtur që bashkëpunimi jonë me ‘Americares’ është i qëndrueshëm dhe vazhdon të plotësojë nevojat e institucioneve shëndetësore”, theksoi Ariana Radoniqi nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë.

Ardhja e Surfaktantit në Kosovë është bërë e mundur nga ngjarjet bamirëse të mbajtura në vitin 2018 si “Let’s Dance” në Prishtinë, ngjarja “Meet Us Halfëay” në Nju Jork, SHBA dhe “Darka e Diasporës” në Zvicër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat