Gashi: Aktivitetet e të rinjve tash e tutje do të numërohen si përvojë pune

Kosova

Gashi: Aktivitetet e të rinjve tash e tutje do të numërohen si përvojë pune

Më: 2 prill 2019 Në ora: 15:35
Konferenca e Kuvendit të të Rinjve

Gjatë ditës së sotme është mbajtur Konferenca e Kuvendit të të Rinjve, ku është prezantuar projekti “Aktivizmi qytetarë përmes aktivizmit rinor", financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Projekt ky tre vjeçar, i shpërndarë në shtatë regjione të Kosovës. Përkrahësi i këtij projekti, ministri Gashi u zotua se tani e tutje, aktivitetet e të rinjve, do të numërohen edhe si përvojë pune.

Sekretari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Ndriqim Qekaj, ka prezantuar disa propozime nga ky projekt i realizuar, të cilat sipas tij, do të dorëzohen shumë shpejt në institucionet përkatëse, e në veçanti atë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ai ka treguar edhe për numrin e vullnetarëve në këtë projekt.

Qekaj: Rreth 315 vullnetarë kanë marrë pjesë në këtë projekt

“ Ky projekt është mbajtur në shtatë regjione të Kosovës, duke përfshirë Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë po ashtu edhe Gjilan e që mandej janë përcjellur edhe vendet tjera përreth... Në aktivitet përgjithësisht, numri i pjesëmarrësve ka arrit në 315 të ri. Përfshirë prej Gjilanit 35, në Mitrovicë 38, Prizren 34, Ferizaj 56, Gjakovë 54, Prishtinë 52, Pejë 46. Numri i pjesëmarrësve është 315”, tha ai.

Qekaj po ashtu tha se nga të gjitha takimet me të rinjtë, është propozuar që të mos kufizohen të rinjtë në moshë, sepse sipas tij, aktualisht për të marrë pjesë në këto aktivitete, të rinjtë duhet t’i takojnë moshës 15-24 vjeçare.

E, Valmir Ilazi, anëtar i Kuvendit të të Rinjve, ka treguar për pengesat që kanë të rinjtë për të zhvilluar projekte.

Ilazi: Kërkojmë një fond të veçantë për përkrahjen e të rinjve

"Gjithashtu buxheti është propozim i ri. Është krijimi i një fondi të veçantë për strukturat rinore në nivel qendror dhe lokal. Pra, e kemi përkrahjen e të rinjve për secilin sektor, pra të rritet fondi që rinia ka nevojë me qenë pjesëmarrës, do të krijohet një fond i veçantë”, ka thënë ai.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka bërë të ditur, se aktivitetet e të rinjve tashmë do të numërohen si përvojë pune.

Sa i përket përkrahjes financiare, Gashi tha se MKRS ka një fond të ri, i cili ka kosto prej 1 milion e 100 mijë euro.

Gashi: Aktivitetet e të rinjve do të numërohen si përvojë pune

“Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e ka një fond të ri, i cili ka një kosto prej 1 milion e 100 mijë euro, pra është për herë të parë, dhe kjo ka të bëjë edhe me atë që ju e thatë në prezantim. Unë  personalisht nuk kam qenë i kënaqur se si deri më tani janë dhënë grantet, zakonisht ka ndodhur që të subvencionohen shumë OJQ me shuma të vogla, por pastaj edhe impakti ka qenë jashtëzakonisht i vogël....Për herë të parë ne kemi filluar edhe pjesën e platformës për vullnetarët. Për herë të parë do të jenë pjesë e një dokumenti që e ka Ministria e Kulturës. Gjithë ata të ri e të reja që bëjnë punë vullnetare regjistrohen ne platformë, dhe për herë të parë do tu njihet poashtu edhe si përvojë pune”, tha ai.

Gashi tha se është e rëndësishme që të rinjtë mos të jenë pasiv në Kosovë.

Ndryshe, ky projekt ky i realizuar në shtatë komuna të Kosovës: Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prizren. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë certifikata për vullnetarët e këtij projekti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat