Dëmtimet në Kalanë e Novobërdës – a është fajtore kompania serbe?

Kosova

Dëmtimet në Kalanë e Novobërdës – a është fajtore kompania serbe?

Më: 3 prill 2019 Në ora: 10:54
Kalaja e Novobërës

Gjatë vitit 2015-2016 kompania serbe ‘Koto’ më fonde të UNESCO-s ka bërë renovimin e Kalasë së Novobërdës. Mirëpo, ende pa u bërë tre vite ka ndodhur shembja e fasadës së mureve të kalasë.

Pse ka ndodhur shembja në këtë objekt të trashëgimisë kulturore ende nuk është sqaruar. Drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha në një prononcim për lajmi.net ka thënë se kjo do të bëhet e qartë pas analizave që do të bëhen.

“Përgjigja pse ka ndodhur shembja do të vije pas analizave që do të bëhen për rastin nga ekspertë të jashtëm e të brendshëm dhe do të dilet me një qëndrim ku do të dihet edhe shkaku”, ka thënë Rexha.

Tutje, ai ka shtuar se vlera e dëmit të shkaktuar do të paraqitet pas analizave dhe studimit të rastit.

Ndërsa përgjegjësi për këtë incident ende nuk ka marrë askush, Rexha thotë se pas këtyre procedurave do të dihet edhe përgjegjësia.

“Kompania në fjalë ka dërguar ekspertët e saj dhe janë marrë mostra llaçi etj., për të analizuar mundësin e shkakut. Presim përgjigjen nga ata ne – institucionet vendore dhe ndërkombëtare – UNESCO etj. Pas këtyre procedurave do të dihet edhe përgjegjësia”.

Për këtë monument është raportuar se janë shpenzuar më shumë se 1 milion euro mirëpo drejtori i Institutit Arkeologjik ka thënë se nuk kanë ndonjë shifër të saktë.

“Për shumë të shpenzuar nuk kemi informata, flitet nga persona të ndryshëm juridik e fizik për shifra, por pasi kemi të bëjmë me përgjigje zyrtare institucionale, nuk mund të hamendësojmë apo të japim shifër të pasaktë. Përgjigje të saktë mund të Ju jep Zyra e UNESCO-së për Evropën Juglindore”, ka thënë Rexha.

Rexha ka thënë se duhet të riparohen dëmet duke shtuar se punimet duhet të vazhdojnë edhe më tej.

“Duhet të vazhdojnë punimet për më tej me arsyen se, deri tani është punuar vetëm në Kështjellën (Kalanë) – Qytetin e Epërm të Novobërdë-s / Artanë-s. Kështjella – Qyteti i Poshtëm është në gërmadha dhe duhet edhe vite në vijim të gërmohet, studiohet, gjegjësisht punohet”, ka përfunduar ai.

Për këto dëmtime është njoftuar edhe Ministria e Kulturës. Lajmi.net ka kontaktuar më këta të fundit mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore duke thënë se kompania “Koto” nga Serbia që ka kryer punimet në këtë pronë të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë e licencuar siç e parasheh Neni 4.16 i Ligjit për Trashëgimi Kulturore.

Kalaja e Novobërës është një kala mesjetare dhe daton nga shekulli XIII-XIV. Ndërsa, qyteti i Novobërdës zhvillimin më të hovshëm ekonomik e kishte arritur në shekullin e XV-të ku ishte bërë njëri ndër qytetet më të rëndësishme në Evropën Juglindore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat