Kërkohet votimi i ndryshimeve kushtetuese për të ratifikuar Konventën që parandalon dhunën në familje

Kosova

Kërkohet votimi i ndryshimeve kushtetuese për të ratifikuar Konventën që parandalon dhunën në familje

Më: 3 prill 2019 Në ora: 15:30
Foto

Këto komente u dhanë në tryezën që Partia Socialdemokrate ka organizuar në lidhje Konventën e Këshillit të Evropës që ka të bëjë me parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje.

Propozuesja e këtij amendamenti, njëherësh, nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës Aida Dërguti, u shpreh se Kosova është vendi i vetëm në regjion që nuk e ka ratifikuar konventën e Stambollit, që ka të bëjë me mbrojtën e grave dhe parandalimin e dhunës në familje, siç shprehet ajo, mënyra e vetme është që kjo të ndodhë është me anë të ndryshimeve kushtetuese.

Krejt kjo, Dërguti thotë se ka ardhur për shkak të pamundësisë dhe të qenit vetëm vëzhgues në Këshillin e Evropës.

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Dërguti  tha se është një sfidë, pasi për ndryshimet Kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, duhet të ketë votim të dyfishtë dhe për këtë ajo i bëri thirrje grave të Listës Serbe të jenë prezent në seancën e 12 prillit në mënyrë që kjo konventë të ratifikohet.

“ Mbetemi i vetmi vend në regjion e cila nuk e ratifikuar këtë konventë. Rruga e vetme që na ka mbetur është që të shtyjmë përpara Konvetën e Stambollit është përmes ndryshimeve Kushtetuese... përgjigja e Gjykatës Kushtetuese na është kthyer dhe ka qenë pozitive, e cila konfirmon që kjo konventë vetëm sa i rritë liritë dhe të drejtat e njeriut, nuk cenon asgjë që ka kushtetua jonë. Mirëpo sfida që na shfaqet është se me Kushtetutën, ndryshimet Kushtetuese duhet të ndodhin me shumicën e 2/3 shumicës dhe 2/3 e pakicës. Aktualisht është Lista Serbe që është duke e bojkotuar Kuvendin dhe mungesa e tyre na pamundëson këtë ndryshim kushtetues, pra që të kaloj ky amendament në Kuvend. Gjithsesi ky propozim, amendament do të sillet në seancën e 12 prillit dhe po shpresoj, meqë kjo Konventë i përfshin gjitha gratë pa dallim etnike dhe mendoj që është, në interes i vendit dhe i grave. Po shpresoj që së paku gratë e Listës Serbe të jenë prezent në seancë për një votim specifik, për hirë të grave”, tha ajo.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari u shpreh se kjo është njëra ndër nismat më progresivë që ka të bëjë me të drejtat e njeriut.

Duke përmendur konventën e Stambollit, ai tha se kjo eliminon shumë parregullsi që iu janë bërë grave dhe dhunës në familje.

Mirëpo përkundër kësaj, Jashari kërkoi që nëse miratohet kjo konventë të ketë zbatim adekuat të saj.

“Pa dyshim se është njëra nga nismat më progresive dhe pozitive në avancimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave, lirive të njeriut në Kosovë deri më tani. Institucioni i Avokatit të Popullit, në gjitha raportet e veta vjetore ka propozues dhe rekomandues që kjo konventë të futet në sistemin tonë juridik..... avancimin më të madh që kjo konventë kish mundur të krijoj në sistemin tonë juridik është kompensimi i drejtpërdrejtë i dhunës në familje, por dhe i dhunës ndaj grave, që deri më tani është dëshmuar se është ‘thembra e Akilit’ në këtë sistem tonë juridik”, tha Avokati i Popullit, Hilmi Jashari.

Përkundër sfidave të mëdha që kanë kaluar gratë në Kosovë, për drejtoreshën Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, Igballe Rogova ka progres në shtyrjen përpara të drejtave të grave dhe parandalimin e dhunës ndaj tyre dhe përgjithësi grave.

Përkundër kësaj, ajo tha se ka raste ende të dhunës në familje, ku mbi 80 përqind të tyre janë gra dhe vajza. 

Kjo sipas saj, sjell vetëm dëmtim të shoqërisë, për këtë arsye ajo i bëri thirrje deputetëve që të votojnë për këto ndryshime kushtetuese që të ratifikohet Konventa e Stambollit.

“Si Kosovë si shtet është me rëndësi që të futet kjo konventë  të futet si pjesë e Kushtetutës së Kosovës... akoma jemi me raste të shumta të raportimeve unë e di çdo vit kemi mbi 1200 raportime. Mbi 80 përqind të tyre janë gra dhe vajza. Gratë dhe vajzat përbëjnë 50 përqind të popullatës, por nëse ato kanë përjetuar dhunën përjeton gjithë shoqëria... iu kisha drejtuar deputetëve, votoni këtë ndryshim të Kushtetutës me plotësimin e këtij mekanizmi jashtëzakonisht të rëndësishëm sepse sjell mirëqenie të qytetarëve të Kosovës dhe sjell paqe, sepse nuk mund të ketë paqe, nëse ka dhunë në familje”, shtoi Rogova.

Pjesë e kësaj tryeze ishte dhe kordinatorja për zhvillimin e Agjencioneve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha se ratifikimi i kësaj Konvente dhe zbatimi i plotë i saj do të tregonte që  Kosova do të jetë e lirë nga dhuna ndaj grave, vajzave dhe gjithë familjeve në Kosovë.  

“Që të zbatohet në mënyrë të plotë, atëherë kjo do të krijoj kushtet që Kosova të jetë një shoqëri që është e lirë nga dhuna dhe frika, posaçërisht për gratë dhe vajzat. Por, gjithashtu ne e dimë që nuk është vetëm një lloj i dhunës që ndikon vetëm në gra dhe vajza, por ndikon dhe në familje, mund të ndikoj në shoqëri dhe komunitet si përgjegjësi”, deklaroi Richardson. 

Dhuna në familje, e në veçanti ndaj grave dhe vajzave në Kosovë është një fenomen mjaft i keq po shfaqet shpesh herë, ndërsa ditë më parë një person është dënuar me burgim të përjetshëm për shkak të dhunës në familje, që ka quar deri në vrasjen e gruas dhe vajzës së tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat