Edhe pas 20 vitesh, Klina kërkon zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Kosova

Edhe pas 20 vitesh, Klina kërkon zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Më: 4 prill 2019 Në ora: 13:56
Foto ilustrim

Përmes një akademie përkujtimore, Klina ka shënuar sot ditën e të zhdukurve, ditë kjo kur 20 vjet më parë paramilitarët serbë dëbuan dhunshëm qindra qytetarë nga shtëpitë e tyre, e dhjetëra nga ta, për t'i zhdukur pa gjurmë.

Në këtë tubim përkujtimor, u kërkua që institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare të ushtrojnë presion ndaj Serbisë, në mënyrë që përfundimisht të zbardhet fati i të pagjeturve të Klinës dhe gjithë Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nën patronatin e të cilit u organizua kjo akademi përkujtimore, kujtoi edhe të martirët e Kralanit, me ç'rast tha se kujtimi për ta dëshmon respektin dhe nderimin për sakrificën më sublime të njerëzve që ishin në shërbim të vendit.

Haradinaj u shpreh se është koha që të gjithë martirët e Kosovës të trajtohen si kategori e lirisë së vendit.

Haradinaj: Nuk do të ndalemi derisa urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit të dalin para drejtësisë

"4 prilli është shënuar në kujtesë institucionale, na shërben të gjithë neve për me e kthy tragjedinë në forcë, për me vazhdu jetën e me ecë përpara... Një popull që harron njerëzit e vet, të martirizuar, është i dënuar t'i përsëritet historia... Pa e njohur dhembjen e Kralanit dhe të Klinës, dhe të gjitha vendeve tjera ku u kryen masakra, është vështirë me u njoft e vërteta e Kosovës. Dhe, për këtë të vërtetë, si Kosovë, nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi që udhëheqësit dhe ekzekutorët të sillen para drejtësisë, që të gjendet fati i të zhdukurve të luftës, që shteti të kujdeset në mënyrë institucionale për familjet e martirëve dje të pagjeturve, duke u njohur statusin e tyre me ligj", tha ai.

E për kryetarin e komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tubimi i sotëm ka një simbolikë të veçantë, pasi siç tha ai, me dhembjen dhe krenarinë e qytetarëve të Klinës bashëndjen i gjithë populli i Kosovës. Duke kujtuar ditën e 4 prillit të vitit 1999, Elezaj tha se fati i të zhdukurve të asaj dite nuk dihet as sot. Për këtë, ai kërkoi nga institucionet vendore e ndërkombëtare që të mobilizohen për zbardhejn e fatit të të pagjeturve.

Elezaj: Institucionet të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

 "Në Kralanin famëkeq, hijenat e mbushura me helm hegjemonist, forcat ushtarake e policore serbe i ndalojnë dhe nga kolona ndajnë qindra qytetarë, të cilët qysh nga ai moment, zhduken në mënyrën më misterioze e për fatin e tyre akoma nuk dihet sot e kësaj dite... Ky tubim që po mbahet sot ka një simbolikë të veçantë sepse kjo dhembje nuk u takon vetëm familjeve, por dëshirojmë të tregojmë se në këtë dhembje por edhe krenari kombëtare, bashkëndjejnë të gjithë qytetarët e Klinës dhe Kosovës. Nga këtu kërkojmë që institucionet relevante, vendore dhe ndërkombëtare, të ushtrojnë presion mbi Serbinë që fati i të pagjeturve të ndriçohet njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që kjo plagë të mbyllet nga ata që ia kanë shkaktuar këtë dhembje popullit të Klinës dhe Kosovës të marrin përgjigjen e merituar", tha ai.

Në emër të familjeve të të zhdukurve, Nexhmije Gashi, tha se Klina sot i bëri 20 vjet dhembje.

Gashi: Institucionet tona të bëjnë më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

"U bënë 20 vite dhimbje pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Mbesim me shpresë se institucionet shtetërore do të bëjnë më shumë lidhur me rastet e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur të komunës sonë dhe të tërë Kosovës", u shpreh ajo.

 20 vjet më parë, forcat serbe ushtarake të ndihmuar nga paramilitarët serbë, në fshatin Kralan të Gjakovës, kanë marrë me vete 87 qytetarë të Klinës, të cilët i kishin ndarë nga popullata dhe nga atëherë asgjë më nuk dihet për fatin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat