Viti 2024 Kosovën e gjen pa mina

Kosova

Viti 2024 Kosovën e gjen pa mina

Më: 4 prill 2019 Në ora: 18:43
Ilustrim

Kosova deri në vitin 2024 do të jetë e pastruar nga minat dhe mjetet shpërthyese që kanë mbetur që prej përfundimit të luftës së fundit.

Kështu u tha me rastin e publikimit të Planit Strategjik të Deminmit të Ministrisë së Mbrojtjes për 2019-2024, në Ditën ndërkombëtare që i kushtohet kësaj çështje.  Ndërsa u bë e ditur se prej vitit 1999 janë pastruar mbi 52 milionë metra katrorë nga minat në gjithë territorin e Kosovës.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Agim Çeku u shpreh se çështja e deminimit është shumë e  rëndësishme dhe se ky projekt në bashkëpunim me Qendrën e Deminimit në Gjenevë përmes planit strategjik deri në vitin 2024 do t’i largojnë  gjitha minat në Kosovë.

Çeku: Deri në vitin 2024 këto 98 fusha që janë të ditura do të pastrohen nga minat

“Deri më tani janë pastruar 52 milionë metra katrorë janë pastruar nga minat, apo mjetet e pashpërthyera,  89 mijë e 804 mina janë larguar apo asgjësuar. Secila prej tyre ka mundur të jetë fatale, për ne apo për më shumë qytetarë. Dhe kjo vetvetiu flet se sa jetë janë shpëtuar, apo kursyer. Fatkeqësisht kjo nuk ndodh vetëm te ne, fushat e minuara janë pasojë e çdo konflikti të armatosur. Ne iu kemi qasur kësaj çështje me seriozitetin më të madh, kjo ka marrë kohë dhe do  të merr kohë. Për arsye e kemi hartuar këtë plan strategjik, i cili na siguron neve dhe qytetarëve të Kosovës, që deri në vitin 2024 këto 98 fusha që janë të ditura do të pastrohen nga minat”, tha zëvendësministri Çeku.

Shefi i Qendrës për Deminim, Ahmet Sallova e paraqiti planin  strategjik për eliminimin e minave dhe mjeteve tjera shpërthyese, i cili do të përfundojë deri në vitin 2024. Mes tjerash, ai bëri të ditur se prej vitin 1999 janë pastruar 52 milionë metra katrorë nga minat.

Sallova: Që nga vitin 1999 janë pastruar mbi 52 milionë metra katrorë

“Qendra Koordinuese për Deminim parashikon që me ndihmën e donatorëve, pastrimi i gjitha zonave të minuara dhe të afektuara prej bombave kasetore të përfundoj deri në vitin 2024. Prej fillimit të operacionit të dominimit, pra që nga vitin 1999 janë pastruar mbi 52 milionë metra katrorë dhe afër 90 mina dhe mjete tjera janë gjetur dhe eliminuar”, tha ai.

Nga Qendra Kombëtare për Deminim në Gjeneva, Asa Massleberg tha se procesi i planifikimit strategjik 2019-2024 mundëson një lehtësim të operacioneve që Kosova t’i arrijë caqet e pastrimit nga minat dhe mjetet tjera shpërthyese.

Massleberg: Strategjia në përputhje me standardet e ndërkombëtare për mina

“Duke iu falënderuar ushtrimeve për analizë të kontekstit dhe diskutimeve mjaft konstruktive dhe të shëndosha në mesin e akterëve kryesorë. Strategjia e Kosovës adreson sfidat, njëkohësisht dhe rreziqet duke paraqitur zgjidhjen konkrete dhe pragmatike se si këto të fundit të adresohen. Më tej strategjia është në përputhje me standardet e veprimit ndërkombëtar të minave më të fundit. Pritet që kjo strategji të mundësojë dhe të lehtësojë një pastrim dhe hulumtim më të qartë, dhe më efekt të operacioneve të pastrimit, dhe se me këtë do t’i mundësojë Kosovës t’i arrijë caqet e pastrimit”, tha ajo.

Ndryshe prej përfundimit të luftës, 117 persona kanë vdekur, pikërisht për shkak të shpërthimit të minave dhe mjeteve tjera shpërthyese në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat