Shenja që nuk e respekton askush

Kosova

Shenja që nuk e respekton askush

Më: 6 prill 2019 Në ora: 15:32
Rruga “Fazli Grajqevci”

Në rrugën “Fazli Grajqevci”, apo siç njihet rruga që të dërgon tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, me shenjë të komunikacionit është i ndaluar trafiku në të dyja kahet për automjetet që nuk janë zyrtare. Por, rëndom aty kalojnë edhe automjete të tjera, e që në disa raste Polica e Kosovës ka shqiptuar dënime për ata që nuk e kanë respektuar këtë ndalesë.

Një qytetar i ka shkruar Kp, por i cili nuk ka dashur që t’i bëhet emri publik, duke thënë se nuk kishte dijeni për atë ndalim dhe se Policia e Kosovës i kishte shqiptuar dënim vetëm atij, ani pse në atë rrugë kishin qenë duke kaluar edhe disa vetura të tjera.

“Vetëm mua më shqiptuan dënim, aty ishin edhe disa vetura të tjera që kalonin, kishte edhe vetura të parkuara dhe për ato asgjë. Ato nuk ishin vetura zyrtare. Policia më dënoi vetëm mua në mënyrë selektive”, ka thënë ai.

Ndaj këtyre pretendimeve të këtij qytetari, Policia e Kosovës thotë se si institucion i zbatimit të ligjit, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore që ka, duke përfshirë edhe veprimet policore në trafik. Ndaj të gjithë kundërvajtësve në trafik PK-ja pa dallime ndërmerr veprime duke përfshirë edhe shqiptimin e gjobave për shkeljet e kryera nga kundërvajtësit. Te gjitha gjobat ndaj të gjithë shkelësve te ligjit shqiptohen konform te gjeturave dhe konform shkeljeve te bëra, andaj e ri-theksojmë se shqiptimi i gjobave kryhet konform ligjit qe parasheh shkeljet e kryera ne trafik”, thuhet në përgjigje të Policisë së Kosovës.

Kritika për vendosjen e shenjës ka edhe Visar Baxhuku nga Kolegji Tempulli, i cili thotë se ajo duhet të vendoset në një vend më të dukshëm dhe duhet të plotësohet.

Baxhuku: Madhësia e shenjës është në raport me udhëzimin administrativ

“Shpeshherë jo vetëm në këtë vend por në shumë vende të caktuara në qytete të mëdha ka kufizime të lëvizjes, një prej formave të kufizimeve është edhe kjo. Madhësia e shenjës është në raport me udhëzimin administrativ, është në rregull, por mënyra e vendosjes duhet të jetë më e dukshme dhe mundësisht të vendoset edhe ne krahun tjetër përderisa ndalohet qarkullimi, dy shenja faktikisht, majtas dhe djathtas. Edhe një element tjetër, personat që jetojnë në pjesën mbrapa ose bizneset që funksionojnë duhet të kenë një orar të caktuar të furnizimit, pastrimit apo çfarëdo forme qoftë herët në mëngjes ose në mbrëmje vonë duhet të kenë qasje në atë pjesë. Për te qenë në rregull dhe e respektueshme kjo shenjë duhet të plotësohet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se duhet të ketë një orar të caktuar që qytetarët të mund të kenë qarkullim në atë pjesë të rrugës.

Baxhuku: Kjo zonë ka nevojë për furnizime

“Jo e padrejtë, është parim themelor, një shenjë edhe nëse është e gabuar duhet të respektohet, nuk mund të hidhet poshtë me idenë se nuk përmbush kërkesat. Po edhe të ngritet zëri që kjo zonë ka nevojë për furnizime, qarkullim, orare të caktuara, të hulumtohet cili është orari më i përshtatshëm pa shkaktuar pengesë në punën e Qeverisë ose të institucioneve tjera që funksionojnë këtu”, ka deklaruar ai.

KosovaPress ka provuar të marr edhe një qëndrim nga Ministria e Infrastrukturës, se a do të ndërmarrin ndonjë veprim për plotësimin e shenjave, por që nuk kanë kthyer përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat