Brenda një muaji 42 shtëpi për komunitetin rom

Kosova

Brenda një muaji 42 shtëpi për komunitetin rom

Më: 8 prill 2019 Në ora: 11:52
Kështu u bë e ditur sot me rastin e shënimit të Ditës së Komunitetit Rom, në një koktej rasti të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për një mirëqenie më të mirë për komunitetin rom, me ç’rast brenda një muaji do të ndërtojë 42 shtëpi për familjet nga ky komunitet. Ndërkohë që ky numër do të rritet pas gjashtë muajsh.

Kështu u bë e ditur sot me rastin e shënimit të Ditës së Komunitetit Rom, në një koktej rasti të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se avancimi dhe integrimi i komunitetit rom janë prioritete të Qeverisë së Kosovës, pasi siç tha ai, ata kanë qenë pjesë e procesit të lirisë së vendit, shtetndërtimit, duke jetuar historikisht nëpër shekuj, bashkë me popullin e Kosovës.

Ai tha se në 10 vitet e fundit, Kosova ka shënuar arritje në përfshirjen e komunitetit rom, ku progres më konkret ka shënuar Prizreni.

Hoxhaj: Komuniteti rom në Kosovë më i përfaqësuar se në vendet tjera të Evropës

“Ne jemi shumë krenar, që në krahasim me vendet e tjera të Evropës, romët si komunitet çdo herë kanë pasur në Kuvendin e Kosovës një zë të fortë dhe të fuqishëm, duke u përfaqësuar, dhe po ashtu, janë përfaqësuar në institucionet e nivelit qendror dhe në nivel lokal. Prandaj, kjo festë është e të gjithëve në Kosovë, posaçërisht e këtij komuniteti... Në këto 10 vite, kemi pasur arritje konkrete për përfshirjen e komunitetit rom në të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë jo vetëm edukimin, por edhe punësimin, edhe mirëqenien sociale, shëndetësinë dhe banim më të sigurt dhe më afatgjatë”, tha ai.

Deputeti Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, tha se ndjehen krenarë që janë pjesë e institucioneve shtetërore, duke u përfaqësuar në Kuvend, në Qeveri, si dhe në institucione tjera, me ç’rast shprehu mirënjohje ndaj institucioneve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit rom në Kosovë.

Teksa foli edhe për projektin, i cili do të ndihmojë në rritjen e mirëqenies së romëve, me rastin e ndërtimit të 42 shtëpive për ta.

Kinolli: Brenda 1 muaji, 42 shtëpi për komunitetin rom

“Nga fundi i këtij muaji, dhe nga fillimi i muajit të ardhshëm, pjesëtarët e komunitetit rom do të janë përfitues të ndërtimit të 42 shtëpive, me ndihmën e ministrit të Financave, Bedri Hamza, dhe Qeverisë të Republikës të Kosovës, se pas muajit të gjashtë, ky numër i ndërtimit të shtëpive do të rritet. Po ashtu, komuniteti rom është përfitues edhe i një projekti infrastrukturor nga Prizreni, në lagjen ‘Jeta e Re’, ku qeveria e Kosovës do të financojë 150 mijë euro për ndërtimin e kësaj rruge. Në përgjithësi pozita e komunitetit rom nga dita në ditë po përmirësohet”, tha Kinolli.

Ndryshe, në këtë koktej rasti morën pjesë përfaqësues të komunitetit rom si dhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat