Projektet e autostradave, ministri tregon datat e përfundimit të tyre

Kosova

Projektet e autostradave, ministri tregon datat e përfundimit të tyre

Më: 9 prill 2019 Në ora: 18:25
Pal Lekaj

Autostrada ‘Arbën Xhaferi’ e cila lidh Prishtinën me Shkupin, pritet të jetë e përfunduar dhe të lëshohet për qarkullim në fund të muajit maj.

Kjo është thënë për Indeksonline nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj.

“Punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” pritet të përfundojnë tërësisht dhe të lëshohet në qarkullim për qytetarët në fund të muajit maj”, ka thënë Lekaj.

Kurse autostrada tjetër e njohur si e “Dukagjinit” është ende në fazën e projektimit final.

Autostrada e cila do të kalojë nëpër Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë dhe do të përfundojë në Prizren ka gjatësi prej 91 kilometrash.

“Pas dëgjimeve publike ku janë marrë mendimet e banorëve nga komunat që prek ky projekt, tashmë janë në përfundim matjet gjeodezike dhe shqyrtimet gjeomekanike”, ka thënë Lekaj.

Punimet në segmentin e parë të kësaj autostrade pritet të fillojnë në muajin tetor, në rast se të gjitha procedurat zhvillohen pa ndonjë vonesë.

Një tjetër autostradë e cila do të ndërtohet në të ardhmen është edhe ajo Prishtinë-Gjilan. Sipas Lekajt, për këtë projekt janë duke u zhvilluar punët e gërmimit dhe betonimit të urave, lëshesave dhe nënkalimeve.

Ndërsa punimet në rrugën Klinë–Gurakoc, sipas ministrit, veçse kanë filluar bashkë me fillimin e sezonit ndërtimor ndërsa në rrugën Kijevë–Zahaq pritet të fillojnë në fund të muajit qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat