Vitin e kaluar u suspenduan nga detyra 50 policë të Kosovës

Kosova

Vitin e kaluar u suspenduan nga detyra 50 policë të Kosovës

Më: 10 prill 2019 Në ora: 13:06
Ilustrim

Javën e kaluar Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë arrestuar zyrtarin policor, i cili kishte vjedhur një kuletë gjatë bastisjes së një kazinoje.

Arrestimi i zyrtarit policor (punonjës/hetues i stacionit policor Graçanicë në Prishtinë) është bërë më 4 prill rreth orës 14:00 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Përvetësimi i kundërligjshëm i pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimit gjyqësor”.

Ky është njëri ndër rastet e shumta, kur policët dyshohen për kryerje të veprave të ndryshme penale, për t’u suspenduar pastaj.

Vetëm vitin e kaluar, Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar 12 zyrtarë policor, 50 janë suspenduar dhe 10 janë transferuar.

Në një përgjigje për media IPK ka bërë të ditur se gjatë vitit 2018 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1419 ankesa dhe informata që në krahasim me vitin e kaluar (2017)  numri i ankesave ka një ngritje të lehtë (vitin e kaluar  IPK ka trajtuar 1226 ankesa).

Sipas IPK-së, prej tyre 762 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës.

“Nga 143 raste me elemente të veprës penale, 90 janë dërguar me kallëzim penal  nga  Departamenti i Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 18 raste.  Gjithsej gjatë vitit 2018 si subjekt i hetimit nga IPK-ja kanë qenë 194 punonjës të PK-së. E shprehur në përqindje i bie që vetëm 2.29 % i punonjësve të PK-së  janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale.  Gjatë vitit 2018, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 12 arrestime; 50 suspendime dhe 10 transfere. Këtë vit IPK-ja ka hetuar 36 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e IPK-së .

Një ndër funksionet bazë të Inspektoratit Policor të Kosovës është edhe zhvillimi i inspektimeve ndaj Policisë së Kosovës. Këto inspektime realizohen në mënyrë që përmes tyre  të bëhet identifikimi dhe parandalimi i çfarëdo devijimi nga aktet ligjore dhe procedurat me të cilat funksionon Policia e Kosovës.

Në përmbushje të përgjegjësive dhe detyrave, Divizioni i Inspektimit dhe Raportimit në kuadër të Departamentit të Inspektimit në drejtim të vlerësimit të kryerjes së detyrave policore në raport me legjislacionin dhe standardet e kërkuara, gjatë vitit 2018 ka realizuar nëntë (9) inspektime, nga të cilat, pesë (5) të rregullta bazuar në Planin Vjetor të Inspektimit dhe katër (4) të jashtëzakonshme.

Gjatë vitit 2018 janë realizuar këto inspektime:

1.Respektimi i procedurave dhe rregullave nga Policia e Kosovës gjatë largimit me forcë të shtetasve turq nga territori i Republikës së Kosovës (inspektim i jashtëzakonshëm);

2.Respektimi i procedurave dhe rregullave gjatë trajtimit të incidentit me përfshirje të zyrtarëve policorë (inspektim i jashtëzakonshëm);

3.Menaxhimi i armëve të zjarrit, municionit dhe pajisjeve policore (inspektim i rregullt);

4.Menaxhimi i burimeve njerëzore të Policisë së Kosovës (inspektim i rregullt);

5.Respektimi i rregullave dhe procedurës së trajtimit të dëshmive në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicë-Veriu dhe Stacionin Policor në Shtime (inspektim i jashtëzakonshëm);

6.Kryerja e detyrave gjatë trajtimit të rasteve të dhunës në familje (i jashtëzakonshëm);

7.Menaxhimi i procedurave të shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit (inspektim i rregullt);

8.Menaxhimi i planeve vendore të policimit, të sigurisë në komunitet dhe nismave të policimit në komunitet (inspektim i rregullt);

9.Menaxhimi i ankesave dhe hetimit disiplinor (inspektim i rregullt).

Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur një mori aktivitetesh nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media.

IPK ka realizuar edhe disa takime me qytetarë që kishin  për synim diskutimet e hapura me qytetarët për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj dhe  rëndësinë e integritetit policor.

Zhvillimi i marrëdhënieve me publikun dhe fuqizimi i bashkëpunimit me organizatat vendore dhe ndërkombëtare është i rëndësisë së veçantë për IPK-në dhe në kuadër të kësaj ka pasur shumë aktivitete të realizuara nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat