Dhuna në familje, shqetësuese numri i vogël i kallëzimeve penale

Kosova

Dhuna në familje, shqetësuese numri i vogël i kallëzimeve penale

Më: 10 prill 2019 Në ora: 14:53
Foto nga takimi

Institucionet e drejtësisë po bëjnë pak në trajtimin e dhunës fizike dhe seksuale. Si rrjedhojë, edhe kërkesat për paraburgim në rastet e dhunës janë shumë të ulëta. Nga 2959 raste sa ka pasur kallëzime penale në vitin 2016, Prokuroria ka bërë vetëm 84 kërkesa për paraburgim, në vitin 2017 vetëm 115 raste, si dhe në gjysmën e parë të vitit 2018, paraburgimi është kërkuar vetëm në 69 raste.

Kështu tha Ariana Qosaj Mustafa nga KIPRED me rastin e prezantimit të një raporti të përbashkët me GLPS dhe Artpolis, para komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ku u diskutua për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive.

Ajo tha se ka mungesë serioziteti nga ana e institucioneve të drejtësisë për t'i trajtuar rastet e dhunës fizike dhe seksuale, pasi sipas saj, në rastet e ngacmimeve seksuale, rastet e dhunimeve, por edhe ato të LGBTI, nësistemin e drejtësisë nuk ekzistojnë procedura standarde të veprimit.

Raporti, siç tha ajo ka evidentuar jo seriozitet të institucioneve të drejtësisë për t'i trajtuar rastet e dhunës fizike dhe seksuale.

Ajo ka treguar se çfarë ndodhë me rastet e dhunës, në momentin e raportimit të saj, ku policia e bënë një vlerësim të rrezikut, por që nuk vazhdohet më tutje, gjë që sipas saj, tregon se vlerësimi i rrezikut nuk bëhet nëmënyrë të drejtë. Sipas saj, ka një numër jashtëzakonisht të vogël të raportimeve të dhunës seksuale.

Ndërsa tha se kanë vërejtur se ka disa prokurorë që përkundër tërheqjes së viktimave vazhdojnë ndjekjen penale.

Mustafa: Institucionet e drejtësisë nuk janë serioze

“Është vërejtur se policia, gjyqtarët dhe prokurorët kanë ende nevojë që të ndjekin trajnime të specializuara, sepse ende nuk kuptohet lidhja ën mes të natyrës gjinore dhe akteve të dhunës... 4:33 Kërkesat për paraburgim në rastet e dhunës janë shumë të ulëta. Në 2959 raste që i kemi pasur kallëzime penale në vitin 2016, Prokuroria ka bërë vetëm 84 kërkesa për paraburgim. Do të thotë i kemi vetëm 2.8 për qind të rasteve. Në vitin 2017, është kërkuar vetëm në 115 raste, pra në 11.3%, si dhe në gjysmën e parë të vitit 2018, paraburgimi është kërkuar vetëm në 69 raste, d.m.th në 5.5 për qind... Në vitin 2017, ne i kemi figurat ku thuhet se gjysma e kallëzimeve penale lidhur me rastet e dhunës në familje janë hedhur poshtë, do të thotë 51 për qind të rasteve hedhen poshtë nga Prokuroria. Kjo tregon se nuk ka seriozitet në institucionet e drejtësisë kur raportohen ra stet e dhunës”, tha ajo

Kryetarja Albulena Haxhiu tha se duhet një bashkërendim i Kuvendit dhe shoqërisë civile për të zgjidhur problemet e adresuara sot. Teksa foli edhe për Konventën e Stambollit.

Haxhiu: Na duhen prokurorë, gjyqtarë e policë të specializuar

“Duhet një bashkërendim, bashkëpunim, edhe i institucioneve të vendit dhe shoqërisë civile për t’i adresuar këto probleme... 11:19 Ne duhet të kemi prokurorë, gjyqtarë e policë të specializuar, të cilët i trajtojnë këto raste, dhe nuk janë të ngarkuar me mentalitetin patriarkal... 12:04 Konventa e Stambollit është pasnesër si pikë e rendit të ditës, komisioni i ka dhënë mbështetje, duhen 2/3 e deputetëve shqiptarë dhe 2/3, gjegjësisht 14. Prandaj, nuk e di nëse ne do të arrijmë të sigurojmë votat e komuniteteve tjera”, u shpreh ajo.

Deputeti nga radhët e Nisma-s, Bilall Sherifi tha se nuk është duke u bërë mjaftueshëm as në edukimin arsimor, ku sipas tij, dhuna duhet të ndalet së pari aty.

Sherifi: Dhuna në familje duhet të ndalet që në gjenezë

“Fatkeqësisht nuk jemi duke bërë mjaftueshëm as në sistemin e edukimit e arsimimit, sepse dhuna nëfamilje ndalet që në gjenezë, që në fëmijëri. A jemi duke bërë mjaft, nuk jam tu pa”, tha ai.

E deputeti i Vetëvendosjes, Sami Kurteshi tha se ligji për dhunën në familje është absurd.

Sipas tij, në policinë e Kosovës nuk bëhet protokollimi i takimeve të zyrtarëve policorë me qytetarët. Për këtë, ai kërkoi që të bëhet regjistrimi dhe protokollimi i çdo takimi.

Kurteshi: Nxjerrja e gruas nga shtëpia, krim i dyfishtë

“Kryhet dhuna në familje dhe çka ngjanë? Nxjerrët gruaja me fëmijë, qoftë në strehimore, dhunuesi rrinë në shtëpi, rehat, rehat. Kjo është krim i dyfishtë, e dyta është shumë më shtrenjtë për shtetin, më mirë është me e nxjerrë një njeri prej shtëpisë, me i lënë nja 5 në shtëpi ku janë rehat duke jetuar. Por, ne nuk guxojmë me e bë atë se jemi shoqëri qysh jemi. 95%  e pronës është në emër të meshkujve”, u shpreh ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e PDK-s, Hajdar Beqa tha se institucionet gjegjëse duhet të marrin vendimin e drejtë. Ai tha se ka raste kur viktima është burri.

Kurse sa i përket Konventës së Stambollit, Beqa tha se e ka koston e vet. Sipas tij, mund të jetë problem votimi i saj në seancë për shkak të Listës Serbe, pasi për votimin e saj duhen 2/3 e votave.

Ndryshe, Konventa e Stambollit do të shqyrtohet të premten në seancën e Kuvendit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat