Në UP mbahet seminari për sëmundjen e malaries

Kosova

Në UP mbahet seminari për sëmundjen e malaries

Më: 11 prill 2019 Në ora: 11:27
Në UP mbahet seminari për sëmundjen e malaries

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, është nikoqir i Seminarit Ndërkombëtar “Problemet e neglizhuara të malaries dhe sëmundjeve të tjera të lidhura me mushkonjat”, i cili ka nisur punimet ditën e sotme.

Ky seminar i cili është organizuar në bashkëpunim me Rotary International, ka pjesëmarrës studentë të përzgjedhur nga Kosova, Gjermania, Greqia dhe Turqia.

Me rastin e fillimit të këtij seminari, rektori i UP-së Marjan Dema, ka thënë se një sëmundje siç është malaria mund të mposhtet vetëm nëse punojnë të gjithë së bashku.

Ai tha se duhet të punohet duke bashkëpunuar jo vetëm për të luftuar sëmundje por edhe për ta bërë botën një vend më të mirë.

Dema: Ne mund ta mposhtim malarien si dhe sëmundje të tjera

“Jemi duke jetuar në një botë të ndryshme. Provova të ju përshëndes në katër gjuhë, dukemi ndryshe, i takojmë religjioneve dhe nacionaliteteve të ndryshme. Siç e shihni, ne mund të punojmë së bashku, mund të bëjmë diçka së bashku siç bëmë në Rotary International… Ne mund ta mposhtim malarien si dhe sëmundje të tjera, por gjëja më e mirë që duhet ta bëjmë dhe që pres nga ju ta bëni është të punojmë së bashku, të kuptojmë së bashku dhe ta bëjmë këtë botë një vend më të mirë për secilin nga ne”, tha ai.

Ndërsa, nga Rotary International, Murat Çelik, tha se çdo vit kanë organizuar seminare, por që është hera e parë që po e bëjnë një organizim të tillë në Kosovë.

Ai tha se beson që ky seminar do të jetë i suksesshëm dhe do të jetë një mundësi e mirë që të rinjtë që po marrin pjesë në këtë seminar të bashkëpunojnë.

Çelik: Ne mund ta sulmojmë malarien në vitet në vijim

“Nuk kam pasur njohuri që malaria ishte kaq e rëndësishme në këtë zonë. Siç tha profesori- krahas polios ne mund ta sulmojmë malarien në vitet në vijim së bashku me Rotary…Me mbështetjen dhe përfshirjen tuaj, ky seminar do të jetë i suksesshëm”, tha ai.

Ndërkaq, Berat Fazliu një nga pjesëmarrësit dhe organizatorët, tha se në këtë seminar do të flasin për malarien, por në një qasje më ndryshe.

Fazliu: Këtu do të flasim për malarien me një qasje shumë më ndryshe

“Këtu do të flasim për malarien me një qasje shumë më ndryshe, shumë më konstruktive, ku do të mësojmë gjithashtu edhe një metodë të re për mënyrën e rregullimit dhe krijimit të ideve të cilat më vonë munden me qenë të zbatueshme. Në bazë të kësaj do të jetë një punë dy ditore ku gjatë kësaj kohe grupe të ndryshme do të krijojnë ide se si mund të trajtohet malaria”, tha ai.

Po ashtu, ai bëri të ditur se do të jetë edhe një program social, i cili do të zgjasë një ditë e gjysmë dhe ka për qëllim që pjesëmarrësit të socializohen në mes vete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat