OBSh kërkon qasje në shërbime shëndetësore për të gjithë

Kosova

OBSh kërkon qasje në shërbime shëndetësore për të gjithë

Më: 12 prill 2019 Në ora: 17:03
Pamje nga takimi

Në ditën Botërore të Shëndetit, Ministria e Shëndetësisë e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kanë mbajtur diskutim me temën "Mbulimi universal shëndetësor", ku u tha se aktualisht në botë gati gjysma e popullatës nuk i pranojnë shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë.

E përfaqësues të OBSH-së në Prishtinë kërkojnë nga liderët në Kosovë që të investojnë në këtë aspekt, në mënyrë që të gjithë të kenë qasje në shërbime shëndetësore.

Naser Ramadani nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se mbulimi shëndetësor universal është qasja në shërbimet shëndetësore pa u përballur me vështirësi.

Duke theksuar se gati gjysma e popullatës në botë, nuk e gëzojnë një gjë të tillë.

Ramadani: Gati gjysma e popullatës në botë nuk i pranojnë shërbimet shëndetësore

“Shëndeti është e drejtë e njeriut, është koha për shëndet për të gjithë. Ne e dimë se mbulimi shëndetësor universal është i mundshëm. Mbulimi shëndetësor universal do të thotë se të gjithë njerëzit kanë qasje në shërbime shëndetësore cilësore, për të cilat kanë nevojë, pa u përballur me vështirësi financiare. Duke ditur se gati gjysma e popullatës në botë për momentin nuk i pranojnë shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë, ku rreth 100 milionë njerëz jetojnë në varfëri të skajshme, sepse duhet shërbimet shëndetësore t’i paguajnë nga xhepi i tyre, ku më se 800 milionë njerëz shpenzojnë gati 10 përqind të buxhetit familjar për shërbime shëndetësore”, tha ai.

Mbrojtja shëndetësore primare, sipas tij, duhet të jetë niveli i parë i sistemit shëndetësor, ku njerëzit pranojnë pjesën më të madhe të mbrojtjes shëndetësore.

Naim Bardiqi, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë konferencë tha se e drejta për mbrojtje shëndetësore është e theksuar edhe në Kushtetutën e Kosovës. 

Bardiqi: Ministria e Shëndetësisë ka filluar procesin e reformës substanciale

"Mbrojtja shëndetësore e popullatës në Republikën e Kosovës është një detyrë e përhershme që kërkon angazhim maksimal të të gjithë hisëtareve në proces, duke filluar nga individi, komuniteti, institucionet arsimore shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë me mandat specifik në këtë detyrë thelbësore.... Të vetëdijshëm për sfidat, Ministria e Shëndetësisë ka filluar procesin e reformës substanciale të të gjithë sektorit me vizionin e qartë të ofrimit të mbrojtjes dhe kujdesit shëndetësor për të gjithë popullatën, duke synuar zëvendësimin e praktikave të trashëguara nga një sistem bashkohor të mbrojtjes shëndetësore”, tha ai.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në këtë aspekt, që të bëjë më të përballueshme për qytetarët të kenë mbrojtje shëndetësore më të lehtë.

Ardita Tahirukaj, shefe e zyrës së OBSh-së në Prishtinë, deklaroi se shteti duhet të ofrojë politika që për të varfrit të ketë kujdes parësor shëndetësor.

Tahirukaj: OBSH fton liderët në Kosovë që të investojnë në kujdesin parësor shëndetësor

“Qëllimi kryesor është mbulimi i përgjithshëm shëndetësor, që do të thotë se të gjithë njerëzit mund të kenë qasje në shërbime shëndetësore cilësore, kur dhe ku kanë nevojë për to. Dhe pa u ballafaquar me vështirësi financiare. Shëndeti është e drejtë njerëzore, prandaj në Ditën Botërore të Shëndetit, OBSH i fton liderët evropianë, përfshirë këtu edhe liderët në Kosovë të investojnë në kujdesin parësor shëndetësor, si një hap i mençur dhe i duhur drejt mbulimit të përgjithshëm shëndetësor”, ka përfunduar Tahirukaj.

Mes tjerash, Tahirukaj ka cekur se rreth 70 për qind të nevojave shëndetësore që njerëzit i kanë gjatë jetës së tyre mund të përmbushen me kujdes të mirë primar shëndetësor, ku sipas saj, shtetet në rajonin evropian kanë arritur progres në këtë aspekt, mirëpo nëntë për qind të tyre u mungon qasje në shërbime shëndetësore cilësore të përballueshme. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat