Panairi i Edukimit, do të ketë edhe psikologë të cilët do të motivojnë të rinjtë se ku të orientohen

Kosova

Panairi i Edukimit, do të ketë edhe psikologë të cilët do të motivojnë të rinjtë se ku të orientohen

Më: 15 prill 2019 Në ora: 11:59
Albona Demaku

Me qëllim të ngritjes së vetëdijes së nxënësve dhe studentëve rreth informimit, përzgjedhjes dhe avancimit të tyre profesional, e po ashtu të mundësisë së përfitimit të fondeve për bursa dhe gjetjes së punës praktike, me 16 dhe 17 prill do të mbahet panairi i Edukimit. Panair ky i cili po mbahet për të 13-tën herë në Kosovë.

Në këtë panair nxënësit dhe studentët do të takohen dhe bisedojnë me personat përgjegjës të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse, ku do të marrin informacione të detajuara për mundësitë e studimeve.

Menaxherja e këtij panairi, Albona Demaku thotë se panairi i Edukimit është ngjarja më e rëndësishme në vend për promovimin e programeve dhe shërbimeve të çdo institucioni arsimor. 

Demaku: Në këtë panair marrin pjesë të gjitha institucionet edukativo-arsimore

“ Në këtë panair marrin pjesë institucione edukativo-arsimore nga cikli i ulët deri tek Universitetet. Ky vit shënon edicionin e 13-të të këtij panairi dhe çdo vit shihet një rezultatet tek nxënësit dhe studentët, të cilët tashmë e kanë idenë se çdo vit organizohet një gjë e tillë dhe u dedikohet atyre”, thotë ajo.

Sipas Demakut, këtë vit, do të jenë të përfshira edhe shkollat e mesme, profesionale në nivel të Kosovës.

Demaku:  Ky panair u dedikohet nxënësve të klasave të nënta

“ Qëllimi i tyre është që të promovojmë shërbime të tyre, drejtimet që i kanë nëse flasim për kolegjet apo universitetet, drejtimet e tyre që i kanë, mundësitë e studimeve, ofrimin e bursave. Këtë vit vlen të theksohet se në kuadër të tri institucioneve shtetërore, kemi të përfshira edhe shkolla të mesme, profesionale në nivel të komunës së Prishtinës dhe nivel Kosove. Të gjitha shkollat profesionale edhe ato i promovojnë drejtimet që i kanë, ato promovohen përmes nxënësve dhe u dedikohet nxënësve të klasave të nënta që ata më herët të mendojnë se çfarë drejtimi të marrin në shkollën e mesme”, thekson ajo.

Demaku po ashtu thotë se në panairin e këtij viti, do të ketë edhe institucione jashtë Kosovës. Si nga Greqia, Sllovenia, Letonia, Shqipëria dhe Gjermania.

Ajo tregon se personat të cilët kanë marrë pjesë në panairet e viteve paraprake, kanë qenë edhe përfitues të shumë bursave.

Demaku: Kosovës i ka munguar një platformë e tillë

“ Ndër vite kemi parë që nxënësit të cilët kanë shkuar dhe kanë studiuar nëpër vende të ndryshme të botës, janë kthyer dhe i kanë përfaqësuar ato universitete në Kosovë. Do të thotë ata janë bërë modelet kryesore të atyre institucioneve ku ata kanë studiuar. Me vet faktin që ne këto prurje i kemi parë pas disa viteve, kjo flet vet për panairin. Sigurisht Kosovës i ka munguar më parë një platformë e tillë. Një platformë ku nxënësit dhe studentët takohen direkt me përfaqësuesit e universiteteve, nuk komunikojnë përmes emaileve ose gjërave të tjera dhe ata kanë mundësi që të bëjnë shumë pyetje dhe të sqarojnë edhe detajet më të vogla”, thotë ajo.

Menaxherja e këtij panairi, Albona Demaku, thotë se gjatë këtyre dy ditëve do të ketë edhe psikologë pjesëmarrës, të cilët do të motivojnë të rinjtë se ku të orientohen pas përfundimit të shkollës fillore apo të mesme.

Ajo ka ftuar të gjithë nxënësit dhe studentët, që të jenë pjesë e këtij panairi për të parë se çfarë mundësish kanë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat