KMSHK diskuton për Kodin e Mediave si nevojë për ndryshimin dhe plotësimin e tij

Kosova

KMSHK diskuton për Kodin e Mediave si nevojë për ndryshimin dhe plotësimin e tij

Më: 15 prill 2019 Në ora: 14:06
Imer Mushkolaj

Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit teknologjike, sidomos në fushën e mediave online, shpeshherë është diskutuar për nevojën e ndryshimit dhe plotësimit të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili paraqet “Kushtetutën” e rregullimit të mediave të shkruara në Kosovë.

Në kohën kur është përpiluar ky Kod, për bazë është marrë gazetaria e shkruar klasike e botuar në gazeta ditore e ato periodike, dhe megjithëse rregullat e një gazetarie etike janë të aplikueshme për të gjitha mediat si audiovizuele ashtu edhe ato të shkruara, ekziston nevoja e pa mohuar që të shtohen pikat që rregullojnë fushën e mediave online sic është publikimi i audio e video incizimeve në portale.

Duke u nisur nga këto Këshilli i Mediave organizoi sot tryezën për diskutimin e Kodit të Mediave si nevojë për ndryshimin dhe plotësimin e tij.

Imer Mushkolaj, kryetar i Kuvendit të Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, tha se Kodi përfshin të gjitha fushat në punën e gazetarisë.

“Kodi duhet të respektohet nga mediat dhe gazetarët. Këshilli merr vendime bazuar në Kod”, tha Mushkolaj duke shtuar se çështjet specifike janë të përfshira në kod, mirëpo duhet shikohet mundësia për plotësim dhe ndryshimin e tij.

Florent Spahija, këshilltar ligjor i KMSHK-së, tha se për shkak të ankesave të mëdha, është me rëndësi të rregullohet edhe çështja për sinjalizues. Ai tha se mediat duhet të kenë kujdes si ta trajtojnë sinjalizuesin, ngaqë ligji është mjaft i rregulluar mirë.

Ndërsa, Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, tha se KMSH ka vendosur të ndryshojë Kodin. Ajo tha se deri më tash për video e publikuara në mediat online nuk ka qenë e rregulluar me Kodin e Mediave të Shkruara.

“Ndryshimi i parë në Kod ka të bëjë për publikimin e videove (me kod do të rregullohet kjo çështje, meqë nuk ka qenë e rregulluar deri tash kjo për videot). Ndryshimi i dytë ka të bëjë me mos përfilljen e gjykatës nga mediat, dhe nëse nuk përfillet kjo konsiderohet se është vepër penale”, tha Kusari.

Për këto ndryshime dhe propozime, pritet që pas një muaji të futen në kod.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat