Hapet panairi i edukimit, ofrohen studime falas në Slloveni

Kosova

Hapet panairi i edukimit, ofrohen studime falas në Slloveni

Më: 16 prill 2019 Në ora: 13:59
Hapet panairi i edukimit, ofrohen studime falas në Slloveni

Është hapur të martën “Panairi i Edukimit 2019”, ku po marrin pjesë mbi 60 institucione, përfshirë ato nga Shqipëria, nga Latvia, nga Sllovenia e gjetiu.

Organizatori i këtij panairi, Bekim Xhafa, tha se ky event shërben si një mundësi e mirë për të gjithë studentët e Kosovës.

E veçanta e këtij panairi, sipas tij është shumëllojshmëria e ofertave për studentët, ku u ofrohen mundësi të shumta shkollimi, teksa foli edhe për rëndësinë e prezantimeve që do të interpretohen në sallën e konferencave në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku edhe po mbahet panairi.

Xhafa: Panairi i edukimit, mundësi e artë për studentët tanë

“Një mundësi e mirë për të gjithë studentët tanë, që përmes këtij panairi, të vijnë të informohen për mundësitë e studimeve, për bursat që ofrojnë. Duhet të potencojmë që ‘Riga University’ dhe universitetet në Slloveni i kanë studimet falas, për dallim prej të tjerëve, studentëve tanë në Slloveni u mundësohet edhe punësim brenda universitetit për t’i mbuluar shpenzimet e akomodimit dhe jetës së tyre”, u shpreh ai.

Fikrije Zymberi, ushtruese e detyrës së drejtorit në Agjencinë për aftësim Profesional, thotë se ideja e këtij panairi është e qëlluar.

Zymberi: Panairi ofron edhe mundësinë e këmbimit të nxënësve

“Ka një mundësi të këmbimit edhe të vet nxënësve, sepse këtu kemi përfaqësues edhe nga shtetet tjera, në këmbim të materialeve mësimore, ka një mundësi mobiliteti, lëvizshmërie, punësimi, që për rininë tonë janë mjaft të rëndësishme”, tha ajo.

Të shumtë ishin nxënësit dhe studentët që kishin ardhur për të parë nga afër ofertat e institucioneve arsimore dhe profesionale.  Nuhi Fazliu, nxënës i klasës së 9-të në shkollën fillore “Ismajl Qemali” ka treguar për KosovaPress pritjet e tij nga ky panair.

Fazliu: Kemi ardhur t’i vizitojmë shkollat e mesme

“Këtu kemi ardhur t’i vizitojmë shkollat e mesme ne që jemi në klasë të 9-të. Po ashtu, për shkollat që më së shumti kanë dëshirë t’i shikojnë njerëzit, ashtu edhe për shkollat që dëshirojmë me i zgjedh”, tha ai. 

Ndryshe, Panairi i Edukimit 2019 do të qëndroj i hapur deri nesër në orën 17, ku studentët e interesuar mund të informohen nga afër me programet dhe mundësitë e shkollimit në vend dhe jashtë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat