Të premten konkursi për noter, brenda dy muajve çdo komunë me noter

Kosova

Të premten konkursi për noter, brenda dy muajve çdo komunë me noter

Më: 17 prill 2019 Në ora: 18:00
Miinistri i Drejtësisë Abelard Tahiri, pas takimit të tretë të Bordit në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020”

Ditën e premte do të hapet konkursi për rekrutimin e noterëve të ri dhe do të mundësohet formula 1 noter në 10 mijë banorë, me qëllimin e vetëm për t’iu mundësuar qytetarëve qasje më të shpejtë, efikase dhe më të afërt në shërbimet noteriale.

Kështu është bërë e ditur nga ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, pas takimit të tretë të Bordit në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020”.

Tahiri tha se me rekrutimin e noterëve të ri do të plotësohet boshllëku në disa qytete të Kosovës që kanë mbetur pa noter.

Tahiri: Çdo komunë do të ketë numrin e mjaftueshëm të noterëve

“Nga kjo e premte, Ministria e Drejtësisë do të hapë konkursin për noter dhe me formulën e re siç e kemi 1 noter në 10 mijë banorë dhe padyshim fokus të veçantë do të jenë qytetet që deri tash nuk kemi noter, siç kanë qenë qytetet në veri të Kosovës të banuara nga komunitetet jo shumicë. Pastaj, edhe në të gjithë territorin e Kosovës ju e dini që një pjesë e mirë e qyteteve tashmë kanë mbetur edhe pa noter si rezultat i pensionimit apo që një pjesë e tyre nuk janë më në jetë më. Ky është një angazhim ynë në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020”, i cili tashmë po merr rrugë të qartë dhe këto dy muajt e ardhshëm do të jenë muajt të cilët do të implementojnë dhe çdo qytet i Kosovës do të ketë numrin e mjaftueshëm të noterëve për shërbimin për qytetarët e Kosovës konform ligjit”, tha ministri Tahiri.

Ai ka folur edhe për zbatimin e masave që ndërlidhen me ndërmjetësimin, ku tha se kanë hartuar aktet nënligjore që ndërmjetësimin e sjellin në një format të ri, si pjesë integrale e sistemit të drejtësisë dhe si një instrument jashtëzakonisht i vlefshëm për qasjen më të shpejtë në zgjidhjen e kontesteve në mes palëve.

Tahiri: MD në proces të implementimit të ligjit të ri për ndërmjetësim

“Çështje tjetër e rëndësishme që po ashtu është në implementim e sipër e që ndihmon shumë punën e gjyqësorit është çështja e ndërmjetësuesve. Ministria e Drejtësisë, po ashtu, është në proces tashmë të implementimit të ligjit të ri për ndërmjetësim, do të licencojmë ndërmjetësuesit të cilët pa dyshim do të trajtojnë pra rastet të cilat kanë mundësi që të shkojnë në ndërmjetësim dhe të mos shkojnë në gjyqësor, pra të mos e ngarkojnë punën e gjyqësorit. Njëkohësisht qytetarët të mund të marrin shërbime sa më të shpejta dhe efikase. Pra, kemi bërë hapa jashtëzakonisht të mëdhenj edhe në çështjen e noterëve edhe në çështjen e ndërmjetësuesve  e të cilat tashmë veçse janë në implementim e sipër dhe brenda gjashtë këtij mujori të parë të vitit të jenë të implementueshme në tërësi”, tha ai.

Po ashtu, kreu i drejtësisë bëri të ditur se janë në fund të themelimit të departamentit special në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Për themelimin e këtij departamenti ka folur kryesuesi i Këshillit Gjyqësor Skënder Çoçaj, i cili ka thënë se do të merret me trajtimin e lëndëve që vijnë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Çoçaj: Lëndët në gjykata tjera të transferohen në Gjykatën Themelore në Prishtinë

“Departamenti do të merret me trajtimin apo gjykimin e lëndëve që vijnë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Fillimisht, siç parashihet me ligji, Këshilli Gjyqësor ka nxjerrë një vendim që mbulon periudhën gjashtë mujore, pra periudhën e përkohshme derisa të funksionalizohet ky departament, në atë mënyrë që janë paraparë mënyra se si lëndët, të cilat tash janë nëpër gjykata të tjera të transferohen në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Këshilli Gjyqësor planifikon që javën e ardhshme të mbajë një takim, ku do të miratohet rregullorja dhe menjëherë pas miratimit të kësaj rregullore për themelimin e departamentit special, atëherë do të fillohet me rekrutimin e gjyqtarëve si dhe stafit mbështetës për funksionalizimin e këtij departamenti”, tha ai.

Çoçaj tha se deri në fillim të qershorit Këshilli Gjyqësor do t’i përfundojë të gjitha punët në mënyrë që ky departament të bëhet funksional.

Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka folur për përgatitjet për themelimin e Këshillave për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Hyseni: Të hartojmë draftin përfundimtarë për përgjegjësitë disiplinore

“Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokuroria i kanë hartuar draftet e para të rregulloreve për disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe pritet që në një takim të përbashkët me partnerët ndërkombëtarë më 6 dhe 8 maj të hartojmë draftin përfundimtar për përgjegjësitë disiplinore, e cila në përmbajtje ndryshon komplet nga ajo që ka qenë deri më tani. Biseduam edhe për procedurën alternative, një prej sukseseve të radhës që konsiderojmë  se pas hyrjes në fuqi të ligjit për ndërmjetësim tanimë edhe MD edhe KGjK dhe KPK jemi duke i përfunduar rregulloret për ndërmjetësim, dhe shpresojmë që një numër i madh i lëndëve përmes kësaj procedure do ta zvogëlojnë pritjen nëpër gjykata dhe të jemi më efikas në ofrimin e drejtësisë për qytetarët”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat