Specialistët e stomatologjisë protestojnë sërish, MSH pret ndryshimin e udhëzimit administrativ

Kosova

Specialistët e stomatologjisë protestojnë sërish, MSH pret ndryshimin e udhëzimit administrativ

Më: 19 prill 2019 Në ora: 12:40
Specialistët e stomatologjisë protestojnë sërish, MSH pret ndryshimin e udhëzimit administrativ

Grupi i Specialistëve të Stomatologjisë sot sërish ka protestuar përpara Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar që t’ju mundësohet punësimi në institucionet publike shëndetësore, gjegjësisht në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare, Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Poliklinikat Shëndetësore.

Arsye për mos punësimin e këtyre specialistëve është udhëzimi administrativ lidhur me kujdesin parësor shëndetësor, saktësisht mënyra e organizimit të këtij niveli të kujdesit shëndetësor i cili pamundëson që në Qendrat e Mjekësisë Familjare të ketë të punësuar specialistë të stomatologjisë, por vetëm doktorë të stomatologjisë.

Specialistja Mirjeta Berisha si përfaqësuese e këtij grupi deklaroi se Kosova ka nevojë për shërbimet e tyre, por duhet të ketë vullnet që të përmirësohet udhëzimi administrativ. Sipas saj, ligji e obligon Ministrinë e Shëndetësisë që brenda tri vitesh të bëjë sistemin e mjekëve specialistë.

Ministria e Shëndetësisë ka formuar grupin punues që do të ndryshojë udhëzimin administrativ që pengon punësimin e specialistëve. Berisha njoftoi se kanë pasur takim me këtë grup dhe thonë se kanë marrë mbështetjen e ekspertëve të huaj të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ajo gjithashtu tha se kanë pasur takime me krerët e komunave dhe drejtorët e Shëndetësisë në nivelit lokal.

Berisha: Ekspertët e OBSH-së mbështesin kërkesën tonë

“Edhe në takimin që kemi mbajtur me këtë grup punës të këtij komisioni kanë qenë edhe ekspertë të huaj, ka qenë një zviceran dhe një kolege tij si ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të cilët i kemi pasur pro këtij vendimi dhe i kanë lutur kolegët përreth që ata të bëjnë një strategji që ne të punësohemi dhe të inkuadrohemi në institucione publike sepse nevojat janë dhe plotësisht kanë qenë pro kërkesës sonë gjatë prezencë në takim.[...] Kemi pasur takime edhe me kryetarët e komunave dhe me drejtorët për Shëndetësi, ata janë dakord që në momentin e ndryshimit të udhëzimit do të hapen dyert dhe do të inkuadrojnë kuadro të reja të specialistëve të stomatologjisë”, deklaroi Fazliu.

Dr. Faik Hoti nga Divizioni për Komunikim Publik i Ministrisë së Shëndetësisë deklaroi se ata kanë kohë që po e trajtojnë çështjen e specialistëve të papunë të stomatologjisë, punësimi i të cilëve ka pengesa ligjore. Ai tha se grupi punues për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ është duke vijuar punën dhe në përfundim të saj pritet të punësohen një numër i caktuar i specialistëve.

Ai theksoi se ka interesim edhe nga disa komuna që në kuadër të kujdesit parësor të kenë edhe profile të ndryshme të specialistëve të stomatologjisë si angazhim në fushën e shëndetit oral.

Hoti deklaroi se jo të gjithë specialistët mund të punësohen në komuna ose të gjithë mund të punësohen në nivelin sekondar ose terciar, duke paralajmëruar një shpërndarje të specialistëve në nivele të ndryshme të kujdesit varësisht prej nevojave që i kanë institucionet shëndetësore.

Hoti: Presim që udhëzimi administrativ të ndryshohet shpejtë

“Me këtë udhëzim administrativ parashihet që i punësuari nga lëmia e stomatologjisë aty të jetë doktor i stomatologjisë dhe ky ka qenë një problem ligjor i cili ka pamundësuar që një numër i specialistëve të papunë të kenë mundësi të ofrojnë shërbime shëndetësore edhe në kujdesin parësor shëndetësor. Sot grupi punues për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ është duke vazhduar punën dhe ne presim që me përfundim të këtij udhëzimi administrativ të hiqen këto pengesa ligjore dhe një numër i caktuar i specialistëve të stomatologjisë, pavarësisht drejtimit në të cilin ata kanë specializuar, të kenë mundësi që të punojnë në kujdesin parësor shëndetësor.[...] Ne presim që ai të kryhet sa më shpejtë, por në këtë aspekt sigurisht që ajo nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet, por ministria në bazë të analizave që ka bërë dhe në bazë të kontakteve që ka edhe me kryetarët e komu nave dhe me drejtoritë komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka vërejtur që disa komuna kanë interesim që në kuadër të kujdesit parësor t’i kenë edhe profile të ndryshme të specialistëve të stomatologjisë si angazhim për kujdesin në fushën e shëndetit oral”, deklaroi Hoti.

Ndryshe, Grupi i Specialistëve të Stomatologjisë ka paralajmëruar grupin punues të përfundojë sa më shpejtë me ndryshimet në udhëzimin administrativ, pasi atyre ka filluar t’ju humbasë edhe durimi pasi tashmë po bëhen dy vit e gjysmë që kur kanë filluar të kërkojnë të drejtën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat