Në Ditën e Tokës pastrohet deponia në “Fushën e Pajtimit”

Kosova

Në Ditën e Tokës pastrohet deponia në “Fushën e Pajtimit”

Më: 22 prill 2019 Në ora: 12:29
Në Ditën e Tokës pastrohet deponia në “Fushën e Pajtimit”

Në Ditën e Tokës janë mbjellë drunj dhe është pastruar një deponi në lagjen “Fusha e Pajtimit” në Prishtinë, nga ku është bërë thirrje që të kenë më shumë kujdes ndaj tokës.

Në kuadër të Javës së Tokës që po organizohet në Prishtinë është planifikuar që të mbillen mbi 1 mijë drunj në tërë territorin e kryeqytetit.

Aksioni për pastrimin e lagjes “Fusha e Pajtimit” është bërë nga organizata “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me komunën e Prishtinës dhe “Miqtë e Tokës”.

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Let’s Do It Kosova” Luan Hasanaj, ka thënë se mesazhi kryesor i kësaj dite është që të kujdesen për tokën në të cilën jetojmë.

Hasanaj: Të kujdesemi për tokën në të cilën ne jetojmë

“Sot është Dita e Tokës, një ditë që festohet pothuajse në tërë botën dhe mesazhi kryesor i saj është që të kujdesemi për të, pra të kujdesemi për tokën në të cilën ne jetojmë. Kjo çfarë po e shohim këtu nuk po e tregon atë, andaj po shpresoj që vitin tjetër kur të vijmë këtu kemi me u ul të gjithë bashkë dhe me pi kafe në një hapësirë të pastër. Për këtë kemi kërkuar siguri edhe prej banorëve edhe prej Komunës dhe prej të gjithëve të cilët janë akterë për t’u përkujdesur për këtë. Krahas kësaj kisha me iu bë thirrje të gjithë atyre të cilët po i krijojnë këto situata që të ndalojnë sepse po i bëjmë shumë dëme imazhit të vendit, mbi të gjitha po i bëjmë dëme shëndetit ton. Nuk e di deri kur më kështu, me të vërtet është e pakuptimtë që një shoqëri e cila mbi 60 përqind të popullatës e ka të re, të jetojmë në një kohë të internetit duke e parë tërë botën të krijojmë këto pamje si këtu”, tha ai.

Hasanaj ka një apel edhe për Policinë e Kosovë dhe Inspektoratin që të jenë më aktiv dhe të gjobitin të gjithë ata që hedhin mbeturina.

Në aksionin e pastrimit ka marrë pjesë edhe shefja e UNDP-së në Kosovë, Ulrika Richardson, e cila është shprehur se përveç pastrimit është e rëndësishme që këto hapësira të mbahen të pastra.

Richardson: Përveç pastrimit është më rëndësi që të ruhet pastërtia

“Përveç pastrimit i cili po bëhet sot këtu me ndihmën e të gjithë akterëve, përfshirë edhe shoqërinë civile, komunën, organizatat, po edhe popullatën në përgjithësi dhe komunitetin, është më rëndësi që të ruhet pastërtia, jo vetëm që të pastrohet. Për të respektuar komunitetin ne do të duhej që të vazhdonim këtë punë, por gjithashtu apelojmë të gjithë institucionet që janë përgjegjëse në këtë rast që të ndërmarrin veprimet e duhura, e jo vetëm komuniteti të pastrojë këtu, jo vetëm ne të dalim kështu bashkë të organizohemi. Ka vetëm një tokë, nuk ka plan B”, u shpreh ajo.

Nga komuna e Prishtinës ka folur Adrian Berisha, që njëherësh është edhe asamblist, i cili ka thënë se aksione të tilla janë të mirëseardhura dhe të rëndësishme për një ambient më të pastër.

Berisha: Kemi mbjellë dikur 1 mijë e 37 drunj

“Është viti i dytë që e organizojmë ‘Bëhu mik i tokës’, është kënaqësi të bashkëpunojmë me ‘Let’s Do It Kosova’ dhe me organizatat e tjera. Sot mbi të gjitha përmes’“Bëhu mik i Tokës’ kemi mbjellë diku 1 mijë e 37 drunj që ka qenë njëri nga qëllimet tona, këta drunj do të mbjellën në territorin e Komunës së Prishtinës. Përveç kësaj kemi organizuar aktivitete të shumta, sot e kemi garën për art të ricikluar në Shkollën e Gjelbër, shkollë e cila feston ditëlindjen e saj me 22 prill për Ditën e Tokës, përveç tjerash sonte kemi shfaqjen e filmit ‘Samsara” në Kino ‘Armata’”, tha Berisha.

Ndërsa, Shefqete Gosalci, banore në këtë lagje ka thënë se deponi të tilla krijohen vazhdimisht, derisa ka bërë thirrje që komuna e Prishtinës të merret edhe me rregullimin e ujërave të zeza në këtë pjesë të kryeqytetit.

Gosalci: Ky është një problem permanent që na ka përcjellë  qe  7 vjet

“Ky është një problem permanent që na ka përcjellë që 7 vjet  prej se jemi në këto banesa është pastruar vetëm një herë nga deponitë me inerte, materiale të forta. Meqenëse ne banorët shpesh herë dalim e pastrojmë ambientin përreth banesave, por ne nuk mund të pastrojmë materialet e forta të cilat nuk kemi mundësi të bartim. Prandaj, edhe një herë iu jam falënderuese dhe mendoj që gjithë ky sensibilizim që iu bë kësaj problematike e cila ka sjellë probleme shëndetësore tek banorët. Shumë banorë janë të identifikuar me kancer, janë edhe ujërat e zeza përveç deponisë që e shihni këtu prapa nesh”, tha ajo.

Në kuadër të shënimit të Ditës së Tokës në gjithë vendin po organizohen aksione pastrimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat