BIK i jepte zor për Sirinë para 5 vitesh, tash heshtin për kthimin nga ISIS’i

Kosova

BIK i jepte zor për Sirinë para 5 vitesh, tash heshtin për kthimin nga ISIS’i

Më: 22 prill 2019 Në ora: 17:45
Foto ilustruese

Kthimi nga Siria duket se nuk u ka bërë fort përshtypje zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ani pse mbi 100 shtetas te Kosoves u kthyen nga zona e konfliktit të premten mbrëma, asnjë prej zyrtarëve të BIK’ut nuk është deklaruar deri tani për këtë çështje. Ata kanë zgjedhur të heshtin për këtë rast, ku u përfshinë edhe disa prej imamëve, një prej të cilëve u dënuar me 10 vite burg për terrorizëm.

Derisa gjithë bota i ktheu sytë nga Kosova për kthimin e 110 personave nga zona e konfliktit në Siri e Irak, zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës zgjodhën heshtjen.

Nga ky institucion nuk u lëshua as edhe një komunikatë, ani pse një numër jo i vogël i imamëve kanë kaluar nëpër procese gjyqësore për shkak të dyshimeve për rekrutim të të rinjve në organizatën terroriste ISIS.

Medie ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të BIK’ut sot gjatë ditës për të marrë ndonjë deklarim rreth kësaj çështje, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur thirrjeve të gazetës.

Zyrtarët e kësaj organizate ishin mjaftë aktivë në kohën kur nisën shkuarjet në Siri duke fokur për “tokën e premtuar të Shamit”. E më vonë  u vërtetua se figura të njohura të islamit kosovar ndikuan në shtyrjen e të rinjve drejt zonave të konfliktit në Siri.

Që nga viti 2012 më shumë se 300 kosovarë iu bashkuan “kauzës” në Siri. Më të famshmit ishin Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi, të cilët arritën që të ngriteshin në hierarkinë e organizatës terroriste ISIS.

Të dy këta ishin xhematë (pasues) të imamit kontrovers kosovar, Zekirja Qazimi, derisa Ridvani më vonë morri të drejtën edhe të ligjëronte në xhaminë që e drejtonte imam Qazimi- një përkrahës publik i xhihadit të ISIS’it.

Të njëjtin, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar me 10 vjet burg për rekrutimin e të rinjve në organizatat terroriste që luftojnë në Lindjen e Mesme dhe për nxitje të urrejtjes. Këtë vendim e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.

Sipas gjykatës Qazimi kishte keqpërdorur pozitën e tij si Imam ku publikisht kishte nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupe tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik.

Ndërsa, po atë ditë gjashtë persona të tjerë, bashkëpunëtor të Qazimit, u dënuan me nga tre deri në tetë vjet heqje lirie për veprat penale rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje. Tre nga të dënuarit kishin pranuar fajësinë. Për të gjithë, Gjykata e Apelit në Kosovë, vërtetoi dënimin me 42 vjet heqje lirie për shtatë personat e akuzuar për veprën penale të terrorizmit.

Kohë me parë Gazeta Express pati sjell një seri shkrimesh që përmes mesazheve të siguruara nga dëshmonin komunikimin mes të dënuarve dhe të rinjve të tjerë para nisjes për të luftuar në ‘Tokën e Shamit’. Madje në njërin prej tyre thuhej “Selam vllaznive”.

Të njëjtat përgjime tregojnë se nëpërmjet këtij rrjeti rekrutimi në grupin terrorist ISIS përfunduan të paktën 11 kosovarë.

Dyshime pati edhe për imamë të tjerë.

Ish-imami i xhamisë së madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, akuzohej nga Prokuroria për shtytje për terrorizëm, nxitje të urrejtjes dhe shmangie nga tatimi. Por në vitin 2018, ai u lirua nga të gjitha akuzat.

Në aktakuzë pretendohej se shtytjen në kryerjen e veprave terroriste Krasniqi e ka kryer nga viti 2013 deri në 2014, ndërsa veprën penale të shmangies nga tatimi e ka kryer nga viti 2011 deri më 2016.

Madje në aktakuzën kundër Krasniqit, imami 52-vjeçar nga Prishtina ngarkohej edhe për “shpëlarjen e trurit” të një të reje nga kryeqyteti, e cila përfundoi në ISIS.

Venera Ademi, e cila të premten është rikthyer në Kosovë, bashkë me mbi 100 shtetas tjerë kosovarë, sipas aktakuzës, ishte dëgjuese e rregullt e ligjëratave të Shefqet Kransiqit.

Ajo atje është martuar dhe ka krijuar familje.

Përveç Krasniqit, në bankën e të akuzuarve u ulën edhe pesë imam me nam në Kosovë. Bedri Robaj, ish-imam në xhaminë pranë Termokosit në Prishtinë; Idriz Bilibani, hoxhë nga Prizreni; Enes Goga, kryeimam nga Peja; Mazllam Mazllami, imam nga Prizreni; si dhe ndaj të pandehurit Fuad Ramiqi. Që të gjithë ata tashmë janë liruar nga aktakuza.

Ndryshe, të premten mbrëma në Kosovë janë kthyer 100 shtetas kosovarë që kishin qenë pjesëmarrës në luftën në Siri. Bëhet fjalë për 4 luftëtarë 32 gra dhe 74 fëmijë (përfshirë 9 fëmijë pa prindër), derisa sipas autoriteteve kosovare, në zonën e konfliktit vazhdojnë të jenë edhe rreth 90 kosovarë të tjerë.

Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga forcat policore mbrëmjen e së premtes deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.

Për 4 luftëtarët, të dielën është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Aktualisht, të kthyerit po mbahen në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë. Shteti ka garantuar se atyre do t’u bëhen kontrollat mjekësore si dhe do të punohet që të njejtit të integrohen në shoqëri.

Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Ndërkohë, lajmi për vendimin e autoriteteve të Republikës së Kosovës për të riatdhesuar 110 shtetas të saj të kthyer nga Siria, ka pushtuar të gjitha faqet e mediave botërore.

Që nga SHBA-ja e deri te mediat e Arabisë Saudite, raportuan për këtë veprim të institucioneve të Kosovës.

Por, pavarësisht se lajmi bëri bujë në gjithë botën, reagime nuk pati as nga liderët shtetërorë.

Përveç që nuk i vizituan, ata nuk morën mundin as që të shkruajnë dy fjali në Facebok sikurse veprojnë zakonisht. Ndonëse shpesh deklarohen për çështje “të kota”, e shtuna duket se i zëri “në gjumë”.

Të vetmit që u deklaruan rreth kësaj çështje ishin Presidenti Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Thaçi nëpërmjet një postimi në Facebook tha se kjo u bë e mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, derisa Pacolli falënderoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Forcat Demokratike Siriane për sjelljen e 110 kosovarëve nga Siria.

Ndryshe, javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve në Evropë që t’i marrin dhe gjykojnë luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.

Qeveria e Kosovës kishte thënë atëbotë se do të veprojë njësoj si edhe shtetet e tjera anëtare të koalicionit global kundër Shtetit Islamik./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat