Mbi 50 pickime nga rriqrat në Malishevë

Kosova

Mbi 50 pickime nga rriqrat në Malishevë

Më: 24 prill 2019 Në ora: 19:05
Ilustrim

Mbi 50 raste të pickimit nga rriqrat janë raportuar në Malishevë, por asnjë rast nuk ka pasur me ethe hemorragjike. Ndërkaq, në fillim të muajit të ardhshëm do të filloj edhe procesi i dezinfektimit.

Me rritjen e temperaturave, kanë filluar edhe paraqitja e rasteve të para nga pickimi i rriqrave në Komunën e Malishevës.

Megjithatë, sipas shefit të shërbimit informativë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë familjare në Malishevë, Shkelzen Sahitaj krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka një numër më të vogël të rasteve.

“Në muajin e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë rreth 100 raste, ndërsa tani ka gati përgjysmë më pak të pickuar pra rreth 55 raste”, thotë për RTV Dukagjinin, Shkelzen Sahitaj.

Në rënien e rasteve, sipas tij kanë ndikuar disa faktor.

“Njëri prej faktorëve kryesor për rënien e numrit të pickimeve është vetëdijesimi i popullatës. Numri më i lartë i të pickuarve ndodh kur moti është më i ngrohtë”, shton më tej Shkelzen Sahitaj.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës Liridon Hoti, thotë se në këtë komunë ka filluar të bëhet repelimi i kafshëve, ndërsa nga muaji maj do të filloj edhe dezinsektimi.

“E kemi filluar me ligjërata në shkolla e cila ka një ndikim të jashtëzakonshëm në terren. Ndërsa faza e dytë është repelimi i kafshëve, të cilat Komuna e Malishevës në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë”, deklaroi Liridon Hoti.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, për mes një komunikate për media, ka bërë të ditur që deri tani nuk është shfaqur asnjë rast i dyshimtë me ethe hemorragjike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat