KMDLNj: Serbia ka legalizuar shantazhin dhe kërcënimet

Kosova

KMDLNj: Serbia ka legalizuar shantazhin dhe kërcënimet

Më: 25 prill 2019 Në ora: 14:42
Foto

KMDLNj ka reaguar pas ndalimit të Sergjan Jovanoviç, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, nga ana e autoriteteve serbe. Ata thonë se ky arrestim është i motivuar politikisht dhe që dëshiron të përcjell një porosi të qartë, se ky fat i pret të gjithë ata që e kundërshtojnë politikën e Serbisë në Kosovë dhe që nuk janë në një linjë me Listën Serbe.

“Autoritetet serbe e kanë legalizuar shantazhin dhe kërcënimin ndaj serbëve besnikë të Kosovës duke i ndalur në pika kufitare, duke i arrestuar, qoftë pjesëtarë të FSK-së, Policisë së Kosovës, politikanë, deputetë dhe poste të tjera dhe duke i detyruar të tërhiqen nga institucionet e Kosovës e në rast të kundërshtimit i sulmojnë me armë zjarri, ua shkatërrojnë pronën apo iu vendosin mjete shpërthyese”, thuhet në reagim.

KMDLNj e konsideron arrestimin e Jovanoviç si arrestim arbitrar dhe si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, kundër lirisë së fjalës, lirisë së lëvizjes dhe përcaktimit vullnetar për organizim dhe veprim politik.

KMDLNj fton të gjithë akterët relevantë të gjykojnë këtë veprim të dhunshëm të institucioneve të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës të përkatësisë etnike serbe e që janë integruar apo duan të integrohen në institucionet e Kosovës dhe shoqërinë kosovare.

“Ky manifestim i vazhdueshëm i dhunës së Serbisë ndaj qytetarëve serbë të Kosovës ka krijuar kushte të frikshme për zgjedhjet në 4 komunat me shumicë serbe prandaj, përveç Listës Serbe të gjitha partitë serbe të Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë në këto zgjedhje. Pikërisht për këtë arsye, KMDLNj këto zgjedhje i konsideron të padrejta për faktin se nuk është ofruar siguri për të gjitha subjektet politike dhe individët të garojnë në kushte të barabarta”, vijon deklarata. 

KMDLNj thotë se është e pakuptimtë të lejohet një dhunë shtetërore, në këtë rast e Serbisë, ndaj një subjekti politik të serbëve të Kosovës si Partia Liberale Serbe vetëm se ka mendim dhe qëndrim tjetër politik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat