“Pastrimi” paralajmëron kaos

Kosova

“Pastrimi” paralajmëron kaos

Më: 25 prill 2019 Në ora: 21:39
Foto ilustrim

Nga kjo e premte, Prishtina dhe gjashtë komuna të tjera rrezikojnë të mbulohen nga mbeturinat.

Kjo pasi kompania rajonale “Pastrimi”, që merret me largimin e mbeturinave, ende nuk ka arritur marrëveshje me Kompaninë për menaxhimin e deponive për zhbllokimin e xhirollogarive bankare.

Kompania “Pastrimi”, që s’po mund të shfrytëzojë paratë e saj, po e quan të paligjshme që për borxhin e trashëguar prej rreth 1.4 milion eurosh, të paguajë edhe kamatë prej 700 mijë eurosh.

Burim Kelmendi, kryeshef i Kompanisë Rajonale “Pastrimi” paralajmëron situatë kaotike nga moslargimi i mbeturinave, ndonëse ky shërbim thotë se do të ofrohet për shkollat, çerdhet dhe spitalet.

Kryeshefi i KMDK-së Abdullah Haxhiu, tha se të premten do të mblidhet Bordi dhe do të shqyrtohet mundësia që t’i jepet kohë “Pastrimit” ta kryejë pagesën dhe brenda asaj kohe t’i zhbllokojnë llogaritë, 
raporton KTV.

Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se u ka rekomanduar kompanive që duke respektuar ligjet, ta zgjidhin këtë çështje.

“Ne e kemi pranuar këtë kërkesë dhe njoftim nga ana e kompanisë ‘Pastrimi’. Zgjidhja e problemit është adresuar te të dyja palët, në mënyrë që të gjendet hapësira e nevojshme, bazuar në ligjet e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi. Kompania ‘Pastrimi’, bazuar në vendimin e Gjykatës, ka thënë se ka të drejtë në arsyetimet e saj. Gjithsesi, këto dy palë, besojmë që do të arrijnë të kenë një komunikim të mirëfilltë në mënyrë që të kalohet edhe kjo situatë”, ka thënë Gashi.

Kurse, drejtoresha e Shërbimeve Publike në Prishtinë, Medina Braha, ka thënë ende nuk ka diçka konkrete për këtë çështje.

Ndërsa, qytetarët kërkojnë që të mos ndërpritet largimi i mbeturinave.

Vetëm në Prishtinë, kompania “Pastrimi” largon mesatarisht 231 mijë kilogramë mbeturina brenda 24 orëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat