Mësuesit shpërfillin vendimin e SBASHK-ut, kompensojnë orët e humbura

Kosova

Mësuesit shpërfillin vendimin e SBASHK-ut, kompensojnë orët e humbura

Më: 1 maj 2019 Në ora: 17:44
Foto ilustruese

Ministria e Arsimit ende nuk ka arritur që ta bind Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për t’i kompensuar orët e humbura si pasojë e grevës.

Përkundër kësaj, lajmi.net ka mësuar se në disa shkolla fillore, mësimi me orë shtesë po mbahet në ditë vikendi. Në komunë e Gjilanit, disa mësues po i kompensojnë orët e humbura me vetëdëshirë mirëpo nuk po i shënojnë në ditar.

“Çdo të diel po mbajë mësim shtesë për nxënësit e mi, por orët nuk jam duke i shënuar në ditar. Këtë po bëj vullnetarisht dhe mbetet personale pasi nuk dua të ndahem prej kolektivit”, ka thënë një mësues për lajmi.net duke dashur të mbetet anonim.

Në kushte anonimiteti ka folur edhe një mësuese tjetër duke thënë se orë shtesë, disa ditë janë mbajtur në shkollat e fshatrave si Malishevë, Verboc, Livoq i Epërm, Cërrnicë etj., mirëpo të gjitha këto me vetëdëshirën e mësuesve.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një prononcim për lajmi.net ka thënë se në komunën e Gjilanit ka raste që mësimdhënësit shpesh kanë mbajt orë plotësuese dhe shtuese. Por sipas tij, kjo ka ndodhur për arsye tjera, e jo për kompensimin e orëve të humbura.

“Në komunë të Gjilanit ka raste që mësimdhënësit shpesh kanë mbajt orë plotësuese dhe shtuese, kjo ndodhë me kërkesë të nxënësve të talentuar të cilët kërkojnë më shumë sesa çfarë përmban planprogrami. Kjo mund të jetë arsyeja pse në Gjilan mbahen këto orë, për hir të nxënësve e jo për t’i kompensuar orët e grevës”, ka deklaruar Jashari.

Tutje, ai ka thënë se qëndrimi i SBASHK-ut vazhdon të mbetet i njëjti.

“Qëndrimi ynë dihet, por ja që ka aty-këtu ndonjë shkollë që mbanë ndonjë orë shtesë me dëshirën e vet mësimdhënësve, gjë që ne e kemi deklaruar edhe me kohë që mësimdhënësit që dëshirojnë  të kompensojnë ndonjë orë për hir të temave kyçe për nxënësit, është e drejtë e tyre por qëndrimi ynë mbetet që kompensim të orëve nuk do të ketë”.

Jashari ka shtuar se ky qëndrim do të ndryshonte nëse Parlamenti i Kosovës voton për ndryshimin e koeficienteve të kolegëve të tyre.

“Nëse Parlamenti i Kosovës voton për ndryshim të koeficienteve të kolegëve tanë, pedagogëve, sekretarëve të shkollave, atëherë ne jemi të gatshëm që për hir të tyre ta vazhdojmë vitin shkollor edhe për një javë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat