Matoshi tregon arsyet pse hidrocentralet nuk posedojnë leje mjedisore

Kosova

Matoshi tregon arsyet pse hidrocentralet nuk posedojnë leje mjedisore

Më: 2 maj 2019 Në ora: 14:49
Foto

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka bërë të ditur se asnjë hidrocentral në Kosovë nuk posedon leje mjedisore dhe se deri më tani kanë pasur vetëm një kërkesë për këtë leje.

Ai tha gjatë raportimit para anëtarëve të komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, se në Kosovë nuk ka një vlerësim të mirëfilltë për hidrocentralet.

Matoshi: Asnjë hidrocentral në Kosovë nuk posedon leje mjedisore

"Asnjë hidrocentral në Kosovë nuk posedon leje mjedisore dhe si të tillë asnjëri nga ta, për neve për Ministrinë e Mjedisit nuk është legal. Ka shumë kërkesa, ka shumë shqyrtim të kërkesave. Ka shumë investitorë të cilat kanë marrë pëlqime mjedisore, kanë marrë leje ujore, kanë marrë leje ndërtimore, por asnjëri nga ta deri sot nuk është pajisur me leje mjedisore, i cili është dokumenti i fundit, të cilin e lëshon Ministria e Mjedisit, përpara se një operator  të operojë legalisht dhe në mënyrë të rregullt”, tha Matoshi.

Matoshi ka thënë se në Ministrinë e Ambientit deti tash ka vetëm një kërkesë për ndërtimin e një hidrocentrali.

Anëtarja e Komisionit Besa Gaxheri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se  me hidrocentralet po bëhet krim i organizuar, ndërsa ka kërkuar të dijë se çfarë ka ndërmarrë MMPH për hidrocentralin në Grykën e Deçanit dhe hidrocentralin në Grykën e Rugovës.

Gaxherri: Më befasuat ministër kur thatë se asnjë hidrocentral nuk ka leje

“Ne jemi shteti më me pak ujë në regjion, mos të themi në Evropë, dhe prandaj në një shtet çfarë  jemi ne Kosova, me kaq pak ujë, me institucionet, të cilat shumë shpesh edhe pse prokuroria se ka dëshmuar ende asnjëherë, apo gjykatat, na japin të kuptojmë se ka krim të organizuar në hidrocentrale. E kemi rastin e Grykës së Deçanit, do të thotë është shkatërruar tërësisht Gryka e Deçanit dhe askush nuk është marr me askënd. Dhe në bazë të kësaj, mu më befasuat kur thatë se asnjë hidrocentral  nuk ka leje mjedisore”, tha Gaxherri.

Ministri Matoshi tha se arsyeja që nuk po aplikojnë kompanitë për të marrë leje për ndërtimin e hidrocentraleve është se nuk i plotësojnë kriteret dhe e dinë se iu refuzohet kërkesa. Por, që sipas tij operatorët duhet të kalojnë në nëntë procedura për t’u pajisur me leje mjedisore, e që sipas Matoshit, MMPH është e fundit që jep këtë leje.

Matoshi ka folur edhe rreth vendosjes së laurës në Grykën e Rugovës, e të cilën po e kundërshtojnë banorët.

Kryetari i komisionit, Muharrem Nitaj ka dashur të di se i kujt ishte ky vendim. 

Matoshi: Ne kemi vendosur që t’i kontrollojmë hyrje-daljet për tri qëllime

“Është Kuvendi i Republikës së Kosovës që i ka bërë këto parqe nacionale, që ka vendosur që Kosova të ketë këto parqe nacionale  dhe është Kuvendi i Kosovës që ia ka dhënë në menaxhim Ministrisë së Mjedisit, respektivisht Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit. Në kuadër të kompetencave që i ka ministria dhe Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, ne kemi vendosur që të kontrollojmë hyrje-daljet në këto parqe. Tri janë qëllimet pse duam ta bëjmë këtë, e para është parandalimi i prerjes ilegale të drunjve në parqe nacionale që ka një shkatërrim jashtëzakonisht të madh. E dyta ka të bëjë me ndërtimin pa leje nëpër parqe nacionale, dhe në rast se ne i kontrollojmë hyrje-daljet nëpër parqet, atëherë sigurisht që edhe materialet ndërtimore do të kenë shumë më të vështirë që të hyjnë në parqet nacionale”, tha ai.

Sipas Matoshit, shkas për vendosjen e laurës në Grykën e Rugovës, ka qenë edhe ndalimi i gjuetisë ilegale në parqe, ku ka disa nga speciet janë rrezikuar si shkak i kësaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat