Voss: Firmat në Kosova kërkojnë punëtorë por të rinjtë presin para ambasadave

Kosova

Voss: Firmat në Kosova kërkojnë punëtorë por të rinjtë presin para ambasadave

Më: 2 maj 2019 Në ora: 15:46
Foto

Sistemi gjerman po shihet si një shembull ideal për të nxjerrë Kosovën nga gjendja në të cilën ndodhet, pasi vendi po ballafaqohet me mungesë të shkollave profesionale, mungesë të praktikës në punë dhe veçanërisht të kooperimit praktik ndërmjet firmave dhe punëtorëve.

Kështu u tha në konferencën “Arsimi dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike”, organizuar nga organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Fondacioni Friedrich Ebert në Kosovë, ku u fol për rëndësinë e arsimit profesional për zhvillimin e vendit.

Për të mbështetur këtë iniciativë për arsim dhe orientim profesional, në këtë ngjarje  kishte ardhur edhe zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Jan-Axel Voss, i cili tha se Gjermania është e interesuar të përkrahë sistemin arsimor në Kosovë.

Ai tërhoqi vëmendjen se institucionet e Kosovës duhet të marrin shembull nga Serbia, e cila duke u mbështetur në sistemin e mirë arsimor, po këmbëngulë që fabrika e veturave Ëolsfagen të ndërtohet atje.

Sipas tij, hapja e shkollave profesionale në vend dhe bashkëpunimi i mirë i ndërmarrjeve me to, do të ndikonin që të zbehet dëshira e të rinjve për të dal jashtë vendit.

Voss: Kosovës i mungojnë shumë shkollat profesionale dhe praktika në punë

“Gjermania është e interesuar që të përkrahë sistemin arsimor në Kosovë. Gjermania është një shtet shumë i madh, por ka numër të pa mjaftueshëm punëtorësh dhe ne kemi nevojë për ekspertë të aftë, dhe t’iu them të drejtën, ne kemi një sistem shumë të mirë, sistem i cili mund të shërbej si model shumë i mirë edhe këtu në Kosovë, ku edhe shkollat akademike dhe profesionale kanë mundësi të përdorin këto modele... Vështirësitë më të mëdha që i kemi parë këtu në Kosovë, është se shumë firma këtu kërkojnë shumë punëtorë, ndërsa shumë të rinj presin para ambasadave për të kërkuar punë. Unë jam qe 2 vite në Kosovë dhe mendimi im është se Kosovës i mungojnë shumë shkollat profesionale dhe mungon praktika në punë, sidomos kooperimi praktik ndërmjet firmave dhe punëtorëve”, tha ai.

Duke folur për rëndësinë e arsimit profesional, Voss tha se Kosova mund të ndjek edhe shembullin e Beogradit, pasi ky i fundit po lobon që të ndërtojë fabrikën e veturave Ëolsfagen në Serbi.

E për këtë, ai tha se Serbia po përdorë si arsyetim sistemin e mirë arsimor, gjë që Kosova duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Voss: Serbia po këmbëngul që të ndërtojë fabrikën e Ëolsfagen, të marrim shembull nga ajo Video “Serbia dhe Beogradi janë shumë të interesuara që të ndërtojmë një fabrikë në Serbi, por të gjitha argumentet që po i përdor Serbia është se kanë një sistem arsimor më të mirë, më të zhvilluar. Është shumë mirë që të marrim leksione nga shtetet fqinje që edhe në Kosovë të përdoren. Është shumë mirë që të bëhen kombinime mes praktikës dhe teorisë”, u shpreh ai.

Për Klaus Bader - Labarre nga GIZ, bizneset kosovare në vend duhet të reprezantojnë sa më shumë modelin gjerman.

Labarre: Firmat kosovare të reprezentojnë sa më shumë modelet gjermane në Kosovë

“Ne kemi nevojë që t’i bindim firmat kosovare që të jenë sa më aktive dhe që t’i reprezentojmë sa më shumë modelet gjermane në Kosovë. Ne më së shumti jemi të interesuar që të ndihmojmë në sistemin arsimor, në sistemin demokratik. Kemi partnerë të ndryshëm me të cilët punojmë së bashku, dhe kjo që kemi më së shumti nevojë, është që jo vetëm këtu në Kosovë, por edhe në shtetet e tjera, të mundohemi të zgjidhë së bashku, të arrijmë zhvillim”, u shpreh ai.

Drejtoresha e Odës Ekonomike Gjermano- Kosovare, Nora Hasani, tha se tema që trajtohet sot është tejet e rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Hasani: Kjo konferencë na mundëson të marrim shumë rekomandime

“Gëzohem shumë që sot takohemi këtu për të bashkëbiseduar rreth kësaj teme shumë të rëndësishme. Kështu që, ju inkurajoj që të mos mbeteni vetëm në rolin e një dëgjuesi pasiv, mirëpo, të inkuadroheni edhe në debate, të ndani me ne përvojën tuaj, apo të na ndihmoni që të mbledhim sa më shumë rekomandime nga ky event”, tha ajo.

Frank Hantke nga FES tha se është e rëndësishme të merren shembuj të mirë që japin mundësi të mira të zhvillimit.

Hankte: Studentët nga Kosova do të marrin praktika të mira

“Ne më së shumti dëshirojmë që të marrim shembuj të mirë, për të parë cilat janë mundësitë më të mira, çka mund të bëhet më së shumti në Kosovë, dhe me këta shembuj që mund t’i marrim, sidomos të mendojmë për investimet e mundshme, jemi të sigurt se në të ardhmen ka për të funksionuar. Unë jam shumë i bindur se nxënësit nga Kosova do të studiojnë jo vetëm nëpër universitete dhe kolegje, por, ju them nga përvoja ime, se ju do të merrni praktika të mira nga akterë të ndryshëm për të arritur gjëra të reja”, tha Hankte.

Ndryshe, konferenca “Arsimi profesional dhe orientimi profesional janë politikë ekonomike”, po i zhvillon punimet e veta në Institutin e Historisë në Prishtinë, të cilat do të zgjasin deri ën orën 18. Në fund të konferencës, para të pranishmeve pritet që të mbajë një fjalë rasti edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat