Kosova e kalon rrezikun nga gripi i derrit, qe dy muaj nuk është paraqitur asnjë rast

Kosova

Kosova e kalon rrezikun nga gripi i derrit, qe dy muaj nuk është paraqitur asnjë rast

Më: 5 maj 2019 Në ora: 17:16
QKUK

Për katër muaj në Kosovë kanë ndërruar jetë të paktën dhjetë persona të cilët dyshohet se janë prekur nga gripi, përkatësisht virusi H1N1 apo siç njihet ndryshe ‘gripi i derrit’.  Por situata gjatë muajit prill e maj, sa i përket këtij gripi raportohet të jetë stabile

Kështu ka deklaruar drejtori i Klinikës së Infektives së QKUK’së, Hamdi Ramadani.

Ramadani e ka pranuar se gjendja në Kosovë ka qenë alarmante gjatë muajve dhjetor, janar, shkurt e mars, sa i përket prekjes nga ky grip

“Klinika Infektive, në përgjegjësi  vendi jon është ballafaquar me sëmundjen e  gripit apo sic njihet ndryshe sëmundja e influencës A. Ndryshe e dini që në muajin dhjetor, janar, shkurt e mars, kemi pasur numër enorm të  rasteve më sëmundjen akute  siç është gripi apo influenca”, ka deklaruar Ramadani.

“Por, tash mund të deklarojë se deri më adtën 30 amrs kemi pas raste me grip. Por nga 30 marsi e deri më sot, që një muaj nuk e kemi asnjë rast të verifikuar si sëmundje e shkaktuar nga sëmundja e gripit apo influenca A”, ka shpjeguar për Express, infektologu i QKUK’së.

Mirëpo, pavarësisht se gjendja tash është stabile, në pesë muajtë e fundit, në të gjithë Kosovën dyshohet se kanë ndërruar jetë më shumë se 10 persona të cilët janë prekur nga ky grip. Rajoni më i prekur në bazë të raportimeve që i ka bërë Express në vazhdimësi, po del të jetë rajoni i Gjilanit.

E Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë deklaruar për Express se nga  tetori i vitit të kaluar e deri në mars të këtij viti 2019 në IKSHPK janë raportuar gjithsej 54 mijë e 949 raste të dyshimta në grip (ILI), si dhe  6 mijë e 296 raste ARI (Infeksion Respirator Akut). Ndërkohë 107 raste të tjera janë raportuar me SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut).

Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit, dhe Podujevës.

Tutje sipas Institutit Kombëtar, gjatë javës së 12-të janë raportuar 3.577 raste ILI, 229 raste ARI dhe 13 raste SARI.

Në këtë  institucion theksojnë se në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri sot janë testuar gjithsej 1016 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 422 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 41.5 %).

Sipas subtipit 345 mostra Influencë A e pa- subtipizuar dhe 76 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 dhe 1 mostër rezulton pozitive në AH3.

Ndërkohë nga ana e Institutit Kombëtar refuzojnë të japin detaje rreth numrit të personave të cilët kanë vdekur si pasojë e virusit të derrit. Deklarojnë se për shifrat të dhëna mund të japin zyrtarë nga Klinika Infektive e QKUK’së.

Por në QKUK nuk janë deklaruar për këtë çështje. Asnjë nga zyrtarët e Infektivës nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës për këtë çështje.

Kohë më parë, zyrtarë nga Infektiva e QKUK’së, kanë deklaruar se vetëm deri në muajin shkurt 5 persona kanë vdekur nga gripi i derrit. Ndërkohë janë edhe disa pacientë të tjerë që përgjatë këtyre javëve kanë vdekur me dyshimet se janë prekur nga virusi AH1N1.

Ndryshe, gjatë këtij viti në shumë vende të rajonit është shpallur epidemi nga influenca e gripit, pasi shumë njerëz kanë vdekur nga ndërlikimet e shkaktuara nga ky virus. Në Bosnjë dhe Hercegovinë tashmë kanë vdekur 36 persona, në Serbi 19 persona, në Mal të Zi 6, derisa në Maqedoni 2 persona.

Sido që të jetë, në Institutin Kombëtar thonë se po i përcjellin me vëmendje ecuritë epidemiologjike të gripit sezonal në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke intensifikuar punën në terren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat