Vetëvrasjet në Prizren e Malishevë – 25 vjeçarja kërceu nga ballkoni, 32 vjeçari e qëlloi veten me revole

Kosova

Vetëvrasjet në Prizren e Malishevë – 25 vjeçarja kërceu nga ballkoni, 32 vjeçari e qëlloi veten me revole

Më: 9 maj 2019 Në ora: 18:07
Foto ilustrim

Mbrëmjen e gjashtë majit të këtij viti, një 25-vjeçare nga qyteti i Prizrenit kishte vendosur që në mënyrë tragjike t’ia marrë jetën vetës. Vajza me inicialet D.U, vdiq pas plagëve të marra pasi që dyshohet se u hedh nga ballkoni i shtëpisë ku jetonte. Ky rast po hetohet nga ana e institucioneve të drejtësisë kosovare. Ndërkohë, përgjatë kësaj jave në vend u raportua për dy vetëvrasje. E fundit ndodhi sot në Malishevë. Aty një 32-vjeçar me armë zjarri ia mori jetën vetës

25-vjeçarja nga qyteti i Prizrenit, D.U ndërroi jetë në spitalin e këtij qyteti në mbrëmjen e gjashtë majit. Ajo kërceu nga ballkoni i shtëpisë ku jetonte duke bërë kështu që rasti të cilësohet si vetëvrasje.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja tragjike e 25-vjecares nga Prizreni?

Sipas hetimeve të para, dyshohet se 25-vjeçarja u hodh nga ballkoni i shtëpisë, duke marrë kështu lëndime të rënda trupore. D.U  përfundoi në emergjencën e spitalit të Prizrenit, ku edhe ndërroi jetë, pasi nuk mundi t’u bënte ballë plagëve.

Prokuroria e Prizrenit ka nisur hetimet për këtë rast i cili po cilësohet si “vdekje e dyshimtë”

Kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Admir Shala, ka thënë se janë duke i mbledhur të gjitha informacionet të cilat mund të çojnë deri në zbardhjen e vdekjes së 25-vjeçares.

“Jemi duke i siguruar informacionet, dyshohet se ka kërcyer prej ballkonit. Dyshohet se edhe një apo dy herë të tjera ka tentuar të bëjë vetëvrasje, por nuk ka arritur, kësaj radhe ka përfunduar me fatalitet”, ka thënë Shala.

Rastin të mërkurën e ka konfirmuar edhe Policia e Prizrenit, të cilët kanë thënë se fillimisht ishin njoftuar se në emergjencën e spitalit të Prizrenit gjendet një vajzë me lëndime të rënda trupore dhe në rrezik për jetë. Me të arritur në emergjencë, mjekët e kishin informuar policinë se D.U. ka ndërruar jetë. 

“Me datën 6 në mbrëmje rreth orës 19:47 policia ka pranuar një informacion nga emergjenca e spitalit në Prizren se kanë pranuar një vajzë me lëndime të rënda trupore, e cila është në rrezik për jetë. Policia ka arritur në emergjencë dhe rreth orës 20:02 mjekët nga emergjenca kanë informuar policinë se ka ndërruar jetë. Viktima është femër, e vitit 1994”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Trupi i pajetë i viktimës ishte dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërkaq pas kësaj i është dorëzuar familjes për të kryer procedurat e varrimit.

Jetën vetës sot ia mori edhe një 32-vjeçar nga Malisheva. Bëhet fjalë për të ndjerin S.Z, i cili është gjetur në afërsi të shtëpisë nga babai i tij.

“Gjithashtu sot në mëngjes rreth orës 07:00 të mëngjesit, nga ana e policisë, Prokuroria ka pranuar informatën se në fshatin Senikë, Komuna e Malishevës, është gjetur një trup i pajetë, ku i ndjeri S.Z., 32 vjeç, dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri, dhe i njëjti është gjetur në afërsi të shtëpisë nga babai i tij”, njofton Prokuroria.

Prokurori i Shtetit ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë, është dërguar për autopsi, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat