MKRS mbështet artistët në ndërkombëtarizimin e artit dhe kulturës vendore

Kosova

MKRS mbështet artistët në ndërkombëtarizimin e artit dhe kulturës vendore

Më: 9 maj 2019 Në ora: 18:57
Foto nga takimi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot morën pjesë në inaugurimin solemn të Pavijonit të Republikës së Kosovës në Beinalen e 58-të të Venedikut, të përfaqësuar nga artisti Alban Muja.

Me nga një fjalë rasti, ministri Gashi dhe kryetari Veseli shprehën përkrahjen e tyre të vazhdueshme në ndërkombëtarizimin e artit dhe kulturës kosovare, respektivisht në fuqizimin e pjesëmarrjes së Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut. 

Mes shumë emrave eminent, Pavijoni i Republikës së Kosovës u nderua me prezencën e Presidentit të Bienales së Venedikut Paolo Baratta, në inaugurim.  

Me këtë rast, Baratta e vlerësoi shumë pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Venedikut, ku ndër të tjera tha se "jam shumë i lumtur që shteti me i ri i Evropës është pjesë e Bienales së Venedikut për vite me radhë".

Ministri Gashi u shpreh se ndihet i nderuar që Kosova për herën e 7-të prezantohet para publikut botëror në Bienalen e Venedikut, që njëherit njihet si ngjarja më e rëndësishme kulturore në botë.

Ai me bindje të thellë potencoi faktin se artistët kosovarë janë ndër ambasadorët më të dinjitetshëm të Kosovës nëpër botë, duke shkëlqyer në të gjitha fushat e artit.

Ndërsa, kryetari Veseli vlerësoi se Pavijoni i Republikës së Kosovës do të duhej të kishte hapësirë më të madhe në prezantimet në vijim, duke u bazuar në faktin e rritjes gjithnjë e më shumë të të interesuarve për të vizituar Pavijonin tonë.  

Kuratori i Pavijonit të Republikës së Kosovës, Vincent Honore shpjegoi për të pranishmit konceptin e veprës së prezantuar, duke thënë se bukuria e projektit qëndron në minimizimin e tij, përmes te cilit thuhet shumë për përjetimet e kosovarëve para 20 vjetësh dhe sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat