Mbi 800 kërkesa për armë me leje

Kosova

Mbi 800 kërkesa për armë me leje

Më: 10 maj 2019 Në ora: 12:27
Foto ilustruese

Republika e Kosovës po vazhdon të ballafaqohet me problematikën e armëve ilegale. Vetëm vitin që shkoi, 20 vrasje ndodhën nga armët pa leje.

Ministria e Punëve të Brendshme nga dhjetori i vitit të kaluar ka hapur afatin kohor për legalizimin e armëve B, C dhe D, dhe deri më tani bëhet e ditur se mbi 800 armë janë në procedurë të legalizimit.

Me qëllim të transferimit të njohurive mbi politikat e OKB-së dhe BE-së dhe masat aktuale për reduktimin e armëve të paligjshme, në MPB u mbajt tryezë diskutimi mbi kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta dhe reduktimin e armëve të paligjshme në Kosovë.

Në këtë diskutim, zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Kontrollin e AVL-ve, Izmi Zeka, tha se qytetarët duhet të vetëdijesohen për rëndësinë e legalizimit të armëve, dhe të shfrytëzojnë afatet e dhëna nga MPB për aplikim.

Zeka tha se krahasuar me vendet e tjera, Kosova nuk qëndron keq me legalizimin e armëve. Duke pasur parasysh mentalitetin, ai tha nuk është dhe aq e lehtë çështja e legalizimit, pasi qytetarët kanë një hezitim sa i përket kësaj. Sipas tij, nëse legalizohet një armë, shpëtohet një jetë, pasi 20 vrasje të vitit të kaluar, janë kryer me armë pa leje.

Ai bëri të ditur edhe mbi gjendjen aktuale për atë se deri ku ka shkuar procesi i legalizimit të armëve.

Zeka: Mbi 800 armë në procedurë të legalizimit

“Rastet e fundit të grabitjeve, dhunës në familje, dhunës në shkolla, dhe raste tjera ku janë përdorur kryesisht armët e paligjshme, janë bërë me të vërtetë shqetësuese për qytetarët e Republikës të Kosovës...  Në këtë rast, inkurajoj qytetarët e Republikës të Kosovës, që në mënyrë vullnetare dhe sa më parë, të shfrytëzojnë rastin e dhënë për legalizimin e armëve, dhe njëherësh, të ndikojnë në rritjen e sigurisë në bashkësi dhe sigurisë publike në përgjithësi. Është çështje e diskutimit, se prej 17 qershorit e këtij, thuhet se është një numër i vogël i legalizimit të armëve. Ne deri më tani diku mbi 800 armë i kemi në procedurë”, tha ai.

Njëherësh, ai bëri të ditur se në këtë drejtim janë shpërndarë edhe broshura për legalizimin e armëve. Sipas tij, duhet të hulumtohen të gjitha rrugët që asnjë armë në Kosovë të mos jetë ilegale.

E për Policinë e Kosovës, përkundër sukseseve që ka shënuar për luftimin efikas të trafikimit me armë, mbetet sfidë më vete mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL dhe mekanizma të tjerë botëror të sigurisë.

Drejtori i Divizionit për Siguri Publike, Gazmend Hoxha, tha se Policia e Kosovës i ka dhënë përgjigjen e duhur luftës kundër krimeve që ndërlidhen me armët, duke krijuar kapacitete të nevojshme dhe ka ngritur njësi të veçantë për këtë gjë.

Hoxha: Mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL sfidë për luftimin efikas të trafikimit me armë

“Sfidë për Policinë e Kosovës, në luftimin efikas të trafikimit me armë mbetet mosanëtarësimi Policisë të Kosovës në mekanizmat botërore të sigurisë, sikurse është INTERPOL-i dhe Europol-i. Pasi trafikimi me armë është krim i organizuar, tejkufitar dhe pa një bashkëpunim të mirëfilltë në mes të policive të rajonit, nuk mund të ketë rezultate të pritura. Kosova, ka qenë dhe është vendi i vetëm në rajon që nuk ka fabrikë të armëve. Kjo i bie që Kosova nuk është vend i origjinës të armëve, por është vend tranzit dhe destinacion për armët”, tha Hoxha.

Përfaqësuesja e përhershme e  Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, tha se MPB ka një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve të vendit se ku qëndron siguria në vend.

Ajo ka shtuar gjithashtu se armët janë diçka që përballen vazhdimisht qytetarët.

Roccasalvo: Armët e vogla janë diçka me të cilën përballemi vazhdimisht

“Armët e vogla janë diçka me të cilën përballemi vazhdimisht. Të premten e kaluar jam takuar me komandantin e KFOR-it për të parë se ku qëndrojmë, si duhet zhvilluar Kosova, 10 vjet nuk janë pak, dhe pyetja më e rëndësishme është pse po e bëjmë këtë. Dhe, u konstatua se qëndrimi jonë këtu është për të ruajtur të gjitha zhvillimet që janë arritur në Kosovë këtu në 20 vitet e fundit”, u shpreh ajo.

Besnik Sallahu, udhëheqës i ILECU në Policinë e Kosovës, tha se në Kosovë janë rreth 260 mijë armë ilegale.

Sallahu: Në Kosovë janë diku rreth 260 mijë armë ilegale

“Besohet se në Kosovë janë diku rreth 260 mijë armë ilegale. Ky është një studim i një instituti të hulumtimeve me seli në Gjenevë... Ky hulumtim i është bërë në vitin 2014, dhe nëse kësaj i shtojmë aktivitetin e Policisë për konfiskimin e armëve pa leje dhe procedurave tjera, besojmë se ky numër ka rënë ndjeshëm. Policia e Kosovës, çdo vit mesatarisht, prej vitit 1999,  çdo vit konfiskon mbi 1300 armë... Vepra më e ndjeshme e kryer me armë është vrasja. Para jush janë të dhënat për vrasjet me armë zjarri në vitin 2017 dhe 2018. Në vitin 2018, nga 32 vrasje, 26 kanë qenë me armë zjarri, që paraqet edhe rrezikun e mbajtjes së armëve ilegale”, tha ai.

Kurse, Alian Lapon, këshilltar kryesor teknik në UNDP, tha se direktiva për legalizimin e armëve është shumë e rëndësishme. Ndërsa shtoi se nevoja për t'i mbajtur nën kontroll, duhet të bëhet përmes disa direktivave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat