Muaji i Ramazanit, a agjërojnë të burgosurit në Kosovë?

Kosova

Muaji i Ramazanit, a agjërojnë të burgosurit në Kosovë?

Më: 10 maj 2019 Në ora: 18:23
Foto ilustrim

Tash e sa kohë e kalojnë jetën vetëm brenda katër mureve të qelisë. Por, kjo nuk po i pengon të burgosurit në vend që ta praktikojnë fenë edhe brenda burgut. Mbi 300 të burgosur dhe të paraburgosur aktualisht janë duke agjëruar. Për çdo natë, atyre u shërbehet iftari dhe syfyri, derisa menyja që u shërbehet nuk dallon fort nga ditët e tjera. Ndërkohë, nëpër gjithë burgjet e vendit aktualisht gjenden mbi 1 mijë e 600 të burgosur.

Krimet që kanë kryer përgjatë viteve i kanë mbyllur brenda katër mureve.

Disa janë dënuar me burgim të përjetshëm, e të tjerë vetëm po mbahen në paraburgim. Por, në fund të ditës pavarësisht dënimeve, ata po i bën bashkë iftari e syfyri.

E kaluara duket se nuk po i pengon të burgosurit në vend që ta praktikojnë fenë edhe brenda hapësirave të burgut. Disa prej tyre tashmë kanë filluar agjërimin.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës deklarojnë se një numër jo i vogël i të burgosurve aktualisht janë me ramazan.

Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi ka thënë se numri i të burgosurve dhe të paraburgosurve që agjërojnë shkon në mbi 300.

“Po, ka të burgosur dhe të paraburgosur, të cilët agjërojnë dhe numri i tyre është rreth 324 vetash”, ka thënë ai.  

Gashi thotë se atyre çdo natë u shërbehet iftar dhe syfyr gjatë këtij muaji, ashtu siç e parasheh Ligji. Shton se menyja që u shërbehet gjatë këtij muaji, nuk dallon fort nga ditët e tjera, derisa thotë se shpenzimet nuk rriten.

“Sipas ligjit, Shërbimi Korrektues i Kosovës, i respekton të drejtat fetare të të gjithë të burgosurve. Po ashtu gjatë Muajit të Ramazanit shërbehet syfyri dhe iftari. Në të gjitha institucionet, Syfyri dhe Iftari shërbehet sipas menysë mujore, e cila aprovohet nga drejtori i institucionit”, thuhet në përgjigjet e Gashit.

Por, pavarësisht se agjërojnë për 30 ditë, në SHKK thonë se nuk bëjnë ndonjë organizim të veçantë për Festën e Bajramit.

Gashi deklaron se aktualisht, numri i të burgosurve në të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit në vend shkon në 1 mijë e 641.

Mbi 1 mijë e 200 prej tyre janë të dënuar dhe mbi 400 gjenden vetëm në paraburgim. Shumica e tyre janë meshkuj.

“Nga aq sa ka të burgosur dhe paraburgosur, nëpër qendra korrektuese dhe ato të paraburgimit, 44 janë femra dhe 1597 janë meshkuj”, thuhet në përgjigjet e Gashit.

Ndërkohë, media ka raportuar muaj më parë se si vetëm një i burgosur i kushton buxhetit të shtetit rreth 840 euro për çdo muaj.

“Shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë rreth 28 euro në ditë, ndërsa shpenzimet mujore apo vjetore varen nga pranimet apo lirimet e të burgosurve”, kishin thënë nga SHKK.

Por, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, vetëm për një vit për nevoja të të burgosurve nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 15 milionë euro.

E meqenëse numri i të burgosurve në tri vitet e fundit nuk është se ka ndryshuar, i bie që për tri vjet vetëm për personat që gjenden prapa grilave për vepra të ndryshme penale janë harxhuar afër 50 milionë euro të qytetarëve të vendit.

Të gjithë këta të burgosur ushqehen tri herë në ditë, derisa menyja ditore u ndërrohet çdo muaj. Por, secilën herë ata ushqehen nga produkte të mishit, pemë, perime dhe çaja.

“Nëpër burgje ekziston menyja ditore e cila ndërrohet çdo muaj, ku të burgosurit ushqehen tri herë në ditë me ushqime të ndryshme  nga produktet e mishit , me peme e perime, lëngje nga frutat e çaja të ndryshëm”, kishin treguar nga ky institucion.

Por, pavarësisht se jetën e kalojnë brenda katër mureve, jeta që bëjnë të burgosurit në vend nuk dallon nga ajo e zakonshmja. Të burgosurit edhe mund të ndjekin shkollimin brenda burgut.

Express kishte raportuar edhe rreth shkollimit të të burgosurve nëpër burgjet e vendit.

Deri në dhjetor të vitit të kaluar, ishin rreth 60 të burgosur që vijonin mësimet në dy prej burgjeve të vendit, që e ofrojnë këtë mundësi.

Automekanik, saldator e instalues i ngrohjes janë vetëm disa prej zanateve që ata aftësohen t’i bëjnë brenda hapësirave të burgut.

“Nxënësit që vijojnë procesin mësimor në paralelen e ndarë të shkollës fillore ,,Ismajl Luma” lëndët mësimore janë sipas planprogrameve shkollore për shkolla fillore ndërsa nxënësit e shkollës së mesme mësojnë lëndë të Drejtimit të Makinerisë- Operator të prodhimit si dhe Drejtimi i informatikës ndërsa në Paralelen e ndarë në QKD nxënësit vijojnë mësimin në drejtimet: Bujqësi – Blegtori, Makineri – Automekanik, Makineri – Instalues i ngrohjes dhe kanalizimit, makineri – saldator”, kishin thënë në SHKK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat