Suhareka bëhet me shtëpi për të moshuarit

Kosova

Suhareka bëhet me shtëpi për të moshuarit

Më: 10 maj 2019 Në ora: 20:46
Suhareka

Komuna e Suharekës shumë shpejtë do të ketë edhe shtëpinë për të moshuarit.

Kjo pas marrëveshjes së nënshkruar mes kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj dhe humanistit Halil Kastrati.

Punimet për ndërtimin e objektit që do të ketë një sipërfaqe prej 12, 435 metra katror do të fillojnë në fund të këtij muaji.

Muharremaj përmes një statusi në Facebook, ndërtimin e kësaj shtëpie e ka quajtur ëndërr të po bëhet realitet.

“Me humanistin Halil Kastrati sot nënshkruam kontratën për dhënie në shfrytëzim të hapësirës publike, ku do të investohen mjete prej 2,3 milionë euro. Sipas kësaj kontrate do të ndërtohet objekti me sipërfaqe prej 12,435 metra katror me destinim të caktuar : “Ofrimin e shërbimeve për persona pa përkujdesje familjare” -Shtëpia e të moshuarve. Më 31.05.2019 do të bëhet zyrtarisht ceremonia e fillimit të punimeve, ku të ftuar do të jenë nga institucionet qendrore e lokale dhe mysafirë të tjerë”, ka shkruar Muharremaj.

Ndërsa projekt madhështor e ka quajtur, Halil Kastrati.

Edhe ai përmes Facebook ka ndarë emocionet për ndërtimin e kësaj shtëpie të destinuar për të moshuarit e komunës së Suharekës.

“Lajmi më i gëzueshëm për ju dhe për ne në këtë muaj të bekuar të Ramazanit është se po fillon ndërtimi i shtëpisë së të moshuarve. Objekti do ti ketë 12.435 m2 dhe do të kushton 2.3 Milion Euro. Ne sot nënshkruam kontratë me kryetarin e komunës së Suharekës z. Bali Muharremaj për shfrytëzimin e parcelës e cila është në fshatin Gjinoc dhe është parapare kjo parcelë për strehimore të të moshuarve”, ka shkruar ndër të tjera Kastrati.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat