“Rruga e Malit”, ky emërtim irriton banorët e Krenidellit të Kamenicës, paralajmërojnë protesta

Kosova

“Rruga e Malit”, ky emërtim irriton banorët e Krenidellit të Kamenicës, paralajmërojnë protesta

Më: 12 maj 2019 Në ora: 19:15
“Rruga e Malit”

Emërtimi i një rruge në fshatin Krenidell të Kamenicës, nuk është pritur aspak mirë nga banorët e këtij fshati.

“Rruga e Malit”, ashtu siç është shënuar në tabele, banorët e quajnë fyerje dhe kanë paralajmëruar protesta.

Familjet e këtij fshati përmes një reagimi thonë se “ky emërim i rrugës shihet qartë se është tendencioz me një prapavijë të qartë fyese ndaj të gjithë neve që jetojmë apo jemi me prejardhje nga ky vend i bukur”.

Familjet i bëjnë thirrje publike kryetarit Qëndron Kastrati, Kuvendit Komunal , drejtorëve komunal që urgjentisht ta ndërrojnë këtë emërtim si dhe të merren masa disciplinore ndaj këtij komisionit që ka emëruar rrugën.

Reagimi i plotë:

Siç edhe jeni njoftuar, e për ata të cilët nuk janë të njoftuar , po ju njoftojmë si në vijim:

– Një i ashtuquajtur komision komunal për emërimin e rrugëve merr guximin që rrugën e fshatit tonë të shenjtë , vendlindjen tonë, prejardhjen tonë, Kranidellin të mos e emëroj fare me emrin të cilin e ka pasur dhe e ka , por këta ose ky “trim” merr guximin që rrugën e Kranidellit ta emëroj me emrin “Te Mali”.

Ky emërim i rrugës sonë nga te gjitha këndvështrimet shihet qartë se është tendencioz me një prapavijë të qartë fyese ndaj të gjithë neve që jetojmë apo jemi me prejardhje nga ky vend i bukur .

Ky person , ky komision , thënë më mirë ky far siç themi ne “e zeza e kokës vet dhe familjes vetë” ka gjithë këtë guxim që ta fyejë një fshat të tërë , të luajë me ndjenjat e gjithë atyre njerëzve që sot shquhen brenda dhe jashtë vendit me profesione të ndryshme ,me tituj të lartë akademik dhe kontribut të çmuar në periudha të ndryshme të shtetndërtimit dhe zhvillimit.

Të dashur bashkëfshatarë, në ditët në vijim do ta identifikojmë personin i cili e ka propozuar këtë emër ose thënë më mirë këtë të pafytyrë që na ka fyer të gjithëve pa dallim, mijëra banorëve të Kranidellit, njëkohësisht i bëjmë thirrje publike kryetarit Qëndron Kastrati , kuvendit komunal , drejtorëve komunal që urgjentisht ta ndërrojnë këtë emërtim si dhe të merren masa disiplinore ndaj këtij komisioni -personi.

Nëse nuk merren masa nga institucionet komunale përgjegjëse jemi të detyruar që gjatë kësaj vere ta organizojmë edhe një protestë në vendin ku është e vendosur tabela .
Nuk lejojmë që një i pafytyrë , idiot , shpirtprishur të luaj me nderin tonë dhe paraardhësve tanë.

Sinqerisht!

Familjet: Leka, Qehaja, Lakna, Shabani, Selishta!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat