Ja cilat vende rrezikojnë të preken në rast të vërshimeve në Kosovë

Kosova

Ja cilat vende rrezikojnë të preken në rast të vërshimeve në Kosovë

Më: 14 maj 2019 Në ora: 13:57
Ilustrim

Reshjet e mëdha të shiut, janë përcjellur me stuhi të cilat kanë shkaktuar dëme në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Kjo stuhi, është paralajmëruar se mund të prekë sot edhe vendin tonë, përderisa dita ka nisur me reshje të mëdha por në intervale të shkurta kohore.

Ballkani.info ka kontaktuar me Tahir Ahmetin, i cili është njohës i çështjeve të emërgjencave dhe njëherësh bashkëthemelues i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC).

I pyetur se a rrezikon Kosova të preket nga kjo stuhi dhe sa mund të shkaktojë dëme një stuhi e tillë, Ahmeti ka thënë se është normale që edhe vendi jonë të përballet me çështjen e vërshimeve, gjë kjo që ka ndodhur shpesh në kohët e fundit.

“Çështja e vërshimeve, sidomos atyre të shpejta është një dukuri e cila po ndodh shpesh në rajon dhe vendi jonë nuk bën përjashtim nga këto vërshime. Kur këto vërshime ndodhin, paraqesin gjendje të jashtëzakonshme, ku mes të tjerash shkaktojnë dëme të mëdha në tokat bujqësore, dëme në ekonomitë familjare dhe biznese, mund të përkeqësohet cilësia e ujit të papërpunuar nga të reshurat, dëmtohet sistemi i kanalizimit, kontaminohen puset që furnizojnë territoret rurale me uëj të pijshëm dhe në raste ekstreme mund të rrezikohet jeta e qytetarëve”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, ai ka thënë se Institucionet e Kosovës duhet të reagojnë më herët, pra para sezonës së reshjeve në mënyrë që të merren masa parandaluese, ku ndër të tjera bëhet edhe rregullimi i shtretërve të lumenjëve, kanaleve kulluese, në mënyrë që pengohet dalja e ujit nga shtretërit, që pastaj mund të shkaktojnë vërshime.

“Ndër të tjerash, duhet të kontrollohen dhe ndalohen edhe prerjet e pakontrolluara të pyjeve në afërsi të zonave vërshuese, gjithashtu edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm që në lumenj të mos hedhin mbeturina dhe të vështirësojnë rrjedhjen e lumit sepse pastaj mund të ketë përmbytje”, ka thënë Ahmeti për Ballkani.info.

Ai ka thënë se në rast të stuhive apo vërshimeve, institucionet përgjegjëse qoftë ato lokale apo qëndrore duhet të krijojnë shtabet e krizave, në mënyrë që të përballohen më lehtë vërshimet e mundshme dhe të ju në ndihmë qytetarëve në rast nevoje.

Bazuar në të dhënat e Institutit Hidrometerologjik të Kosovës, zonat më të rrëzikuara janë pjesa veriore e vendit, konkretisht rrjedha e lumit Ibri dhe Sitnica me degët e tyre. Pastaj vjen pjesa lindore e Kosovës, sidomos Kriva Reka me degët e saj dhe pjesa jugore, lumi Lepenci dhe Nerodimja.

Në fund, Ahmeti ka theksuar edhe njëherë se në Kosovë nuk pritet gjendje ekstreme dhe e jashtëzakonshme, andaj nuk duhet të ketë panikë, ndërsa ka potencuar se masat preventive duhet të ndërmirren për çdo situatë të mundshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat