Përkujtohen dëshmorët Shaban dhe Sami Ukshini

Kosova

Përkujtohen dëshmorët Shaban dhe Sami Ukshini

Më: 14 maj 2019 Në ora: 20:26
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në Zhegër sot është shënuar 18-vjetori i rënies së dëshmorëve Shaban dhe Sami Ukshini, të cilët dhanë jetën e tyre si ushtarë të UÇPMB-së, në luftën kundër forcave serbe në Kosovën Lindore.

Në shenjë të nderimit dhe lavdisë sot pranë shtatoreve të tyre është bërë ngritja e flamurit kombëtar që do të jetë simbol mburojë dhe hije e vazhdueshme e sakrificës që kanë dhënë dëshmorët Shaban dhe Sami Ukshini.

Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Hajdari, ka thënë se vepra e dëshmorëve është një themel që çdo ditë e më shumë po forcon lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Sot është një ditë e dhimbshme për familjen dhe shokët e tyre, por njëkohësisht edhe ditë krenarie dhe e tillë duhet të mbetet gjithmonë, sepse ata dhanë gjënë më të shtrenjtë për lirinë e shqiptarëve. Të gjithë së bashku do t’i kujtojmë me përulje, sepse ata deshën lirinë për shqiptarët dhe për këtë duhet të punojmë e të jemi unik që të punojmë më shumë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit”, ka thënë Hajdari.

Para të pranishmëve ka folur edhe ish-komandanti i Zonës Operative për Preshevë, Mustafë Shaqiri, shkrimtari Ibrahim Kadriu dhe kryetari i shoqatës ‘Kurexhaj", Hamdi Sejdiu, të cilët i kanë kujtuar dy dëshmorët që nga koha e fëmijërisë e deri të angazhimi i tyre i hapur në luftën për liri.

Ndërsa, vajza e dëshmorit Shaban Ukshini, Haxhere Ukshini, ka thënë se si fëmijë dëshmori, krahas shumë vështirësive të jetës, mungesës së babait, ka dhembje, krenari dhe përgjegjësi që të jetë shembull i mirë në shoqëri. 

Ajo ka bërë thirrje që të punohet më shumë në zhvillim të vendit, emancipim të shoqërisë dhe mbështetje të rinisë në rrugën e tyre drejtë arsimit dhe shkencës.

Ndryshe, Shaban dhe Sami Ukshini ranë heroikisht në luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë më 14 maj 2001.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat