Kërkohet inkuadrimi i grave në vendimmarrje

Kosova

Kërkohet inkuadrimi i grave në vendimmarrje

Më: 21 maj 2019 Në ora: 12:48
Foto

Kosova nuk qëndron mirë sa i përket barazisë gjinore dhe i vetmi institucion ku kuota ka sjellë rezultat është Kuvendi i Kosovës.

Për të ardhur gratë në vendimmarrje janë dy mënyra: përfaqësimi i grave në politikë në masë më të madhe dhe përfaqësimi i grave në borde, qofshin ato institucionale, të korporatave apo borde të tjera.

Kështu u tha me rastin e publikimit të raportit “Kuota gjinore në bordet e korporatave në Kosovë”, ku theks i veçantë iu kushtua mekanizmave për rritjen e përfaqësimit të grave në vendimmarrje.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, tha se Zyra e BE-së, mbështet zbutjen e hendekut të pabarazisë mes femrave dhe meshkujve në fushën e ndërmarrësisë. 

Derisa gratë përbëjnë më shumë se 50 për qind të popullatës në Kosovë, Apostolova tha se vetëm 10 për qind e bizneseve janë në pronësi të grave, andaj, sipas saj, gratë duhet të marrin pjesën e tyre të pushtetit.

Njëherësh, ajo tha se në çdo shoqëri duhet t'iu kushtohet rëndësi të gjithë mekanizmave që mund të zbusin hendekun e pabarazisë mes burrave dhe grave.

Apostolova: Gratë e Kosovës të marrin pjesën pushtetit që u takon

“Analiza e agjendës së Kosovës e financuar nga BE-ja të cilën e publikova në tetor 2018 tregon qartë se kuotat janë aplikuar, ato kanë ndikuar në përfaqësimin e grave në Kosovë. Në të kundërtën kur kuotat nuk zbatohen gratë mbeten shumë të pa përfaqësuara. Në institucionet publike, qeveritë qendrore dhe lokale, ekipet ndërkombëtare gratë nuk konsiderohen fare. Femrat përfaqësojnë më shumë se 50 për qind të popullsisë të Kosovës, dhe është me rëndësi thelbësore që ato të marrin pjesën e tyre të pushtetit, duke përfshirë edhe në fushën e ekonomisë”, tha ajo.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se mbetet shqetësuese punësimi i grave në institucionet e Kosovës, përveç Kuvendit.

Demolli: Kosova ka 2 ministre dhe 4 zëvendësministre, pozitat tjera janë të burrave

“Nga të gjithë zëvendësministrat në Kosovë, 80 janë burra, 4 janë gra, do të thotë për me e pa vendimmarrjen e grave në institucionet tona. Dy ministre i kemi tani dhe të gjitha pozitat tjera janë të burrave. Dhe, kjo me të vërtetë është shqetësuese. I vetmi vend ku kuota ka sjellë rezultat është parlamenti i Kosovës, ku kemi një prezencë më të madhe të grave. Besojmë fuqishëm se për të ardhur gratë në vendimmarrje janë vetëm dy mënyra: përfaqësimi i grave në politikë në masë më të madhe dhe përfaqësimi i grave në borde, qofshin ato institucionale, të korporatave apo të shoqërisë civile dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Vetëm kështu mund të krijohet një model dhe mund të shihet gruaja në shoqëri”, tha ajo.

Jeta Bakija nga ERAC bëri të ditur se si koalicion synojnë të publikojnë 24 raporte, teksa bëri të ditur se ky i sotmi është i 14-ti me radhë.

Ajo renditi edhe çështjet me të cilat është marrë kryesisht projekti, e ndër to theksoi se është edhe mungesa e zbatimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, ri-integrimi i komunitetit jo shumicë, dhuna në familje e të tjera.

Për të gjitha rastet që kanë hasur, Bakija tha se i kanë adresuar tek institucionet përkatëse, ku kanë dhënë edhe rekomandimet si koalicion i ERAC.

Bakija: Deri më tani kemi ngritur raste që kanë prekur mbi 300 mijë persona

“Deri më tani kemi ngritur raste që kanë prekur më shumë se 300 mijë persona në krejt Kosovën. Kemi ofruar ndihmë juridike për më shumë se 230 klientë. Deri tani kemi më shumë se 80 raste të zgjidhura. Rastet, të cilat janë identifikuar deri më tash kanë qenë mungesa e qasjes në sistemin shëndetësor, mungesa e lirisë së lëvizjes, mungesa e përfaqësimit të komunitetit jo shumicë në zyra komunale për çështje të komuniteteve dhe kthim. Kemi pasur raste të braktisjes së shkollimit, sidomos nga fëmijët e komunitetit jo shumicë”, tha ajo.

Ndërsa Carlos Abaitua nga Zyra e BE-së në Kosovë, foli për projektin e ERAC.

Abaitua: Granti arrin vlerën  1 milion e 100 mijë euro

“Granti është nënshkruar në vitin 2015 dhe ky është vitit i fundit i realizimit të tij. Ka kushtuar 1 milion e 100 mijë euro, prej të cilave 90 për qind është financuar nga BE-ja dhe 20 për qind nga ERAC. Ndërsa është program që ka të bëjë me fuqizimin e shoqërisë civile në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Ndryshe, projekti “ERAC” është financuar nga BE-ja dhe i referohet praktikave më të mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat