Katër komuna mbështeten me projekte në vlerë rreth 1 milion euro

Kosova

Katër komuna mbështeten me projekte në vlerë rreth 1 milion euro

Më: 21 maj 2019 Në ora: 14:38
Pamje nga takimi

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka nënshkruar sot memorandume me komunat Podujevë, Prizren, Obiliq dhe Novobërdë për financimin e disa projekteve në fushën e mjedisit.

Me rastin e nënshkrimit të këtyre memorandumeve ministri Fatmir Matoshi ka ri-përsëritur gatishmërinë e tij dhe të ministrisë që ai drejton për përkrahjen e komunave në përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

Projektet për të cilat sot u nënshkruan memorandume të bashkëpunimit janë:Ndërtimi i ujësjellësit në Gjonaj, Prizren, i cili kap vlerën prej 277 mijë euro, dhe do të zgjidhë problemin e sigurimit të ujit të pijshëm për banorët e kësaj pjese të Prizrenit; Vazhdimi i projektit të rregullimit të shtratit të lumit Llap, Podujevë, në vlerë prej 150 mijë euro; Ndërtimi i kanalizimit Breznicë- Kozaricë, në vlerë totale 100 mijë euro për këtë vit, dhe po ashtu me 100 mijë euro është mbështetur edhe vitin e kaluar;  Ndërtimi dhe rregullimi i kanalizimit në fshatin Breznicë – Kozaric –Obiliq, 100.000 euro; Rregullimi i hapësirave gjelbëruese dhe mbjellja e druve – Obiliq, 50.000 euro;Pastrimi i lumenjve, përrockave dhe kanaleve, Obiliq, 100.000 euro;  Pastrimi i lumenjve në  Kufcë, Stanishor, Prekovc dhe llabjan, i cili kap vlerën buxhetore prej 200 mijë euro për këtë vit.

Matoshi para kryetarëve të këtyre komunave ka shprehur besimin e tij  që këto projekte do të realizohen me kohe dhe do të kenë një menaxhim efikas nga komunat përkatëse.

Njëkohësisht ai kërkoj nga kryetarët një angazhim më të madh në mbrojtjen e mjedisit, mirëmbajtjen e zonave të gjelberta, mbrojtjen e lumenjve nga ndotja, dhe krahas kësaj të vetëdijesojnë qytetarët për mbrojtjen e mjedisit edhe përmes aplikimit të gjobave.

Nga ana tjetër kryetarët e komunave: Agim Veliu, Mytaher Haskuka,  Xhafer Gashi e Svetislav Ivanoviq, falënderuan ministrin Matoshi për përkrahjen e vazhdueshme  dhe financimin e këtyre projekteve që sipas tyre janë shumë të rëndësishme për mjedisin dhe qytetarët e komunave të tyre.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat